Pas shkatërrimit të tre raketave iraniane drejt Turqisë, NATO dhe Ankaraja shqyrtojnë përforcimin e mbrojtjes ajrore
Të dërguarit e Këshillit të Paqes të Donald Trump u takuan me përfaqësuesit e Hamasit në Kajro në një përpjekje për të ruajtur armëpushimin në Gaza, i cili është testuar që nga fillimi i luftës së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin, thanë burimet e cituara nga Reuters.
Takimi u zhvillua gjatë fundjavës në kryeqytetin egjiptian. Atje, Hamasi, i cili mbështetet nga Teherani, thuhet se zhvilloi bisedime me përfaqësuesit e Këshillit të SHBA-së, një organ i kryesuar nga Donald Trump që ka marrë një rol në mbikëqyrjen e menaxhimit të Gazës pas luftës.
Sipas tre burimeve që folën me Reuters, qëllimi kryesor i bisedimeve ishte parandalimi i rënies së marrëveshjes së armëpushimit në enklavën palestineze, pasi konflikti rajonal ka ndikuar drejtpërdrejt në ekuilibrin në rajon.
Menjëherë pas takimit në Kajro, Izraeli njoftoi se planifikon të rihapë së shpejti të vetmin kalim për këmbësorë midis Gazës dhe Egjiptit. Kalimi i Rafah ishte mbyllur që nga fillimi i fushatës ushtarake kundër Iranit. Një nga burimet beson se vendimi izraelit është i lidhur drejtpërdrejt me bisedimet midis Hamasit dhe këshillit të SHBA-së. Para fillimit të konfliktit me Iranin, plani i Donald Trump për Gazën ishte iniciativa qendrore e administratës amerikane në Lindjen e Mesme. Megjithatë, përshkallëzimi i konflikteve në rajon duket se e ka ngadalësuar zbatimin e tij.
Burimet thanë se zyrtarët e Hamasit e paralajmëruan këshillin amerikan se grupi mund të tërhiqej nga angazhimet që kishte bërë sipas armëpushimit nëse Izraeli do të mbante kufizimet e reja të vendosura ndaj Gazës gjatë luftës me Iranin.
Izraeli mbylli kufirin e Gazës pasi filloi konflikti më 28 shkurt, duke thënë se kalimet nuk mund të funksiononin në mënyrë të sigurt. Më pas rihapi flukset e kufizuara të mallrave dhe ndihmës humanitare, por mbajti të mbyllur të vetmin kalim për këmbësorë për në Egjipt, në Rafah. Të martën tha se planifikonte ta rihapte atë brenda një jave pas një “vlerësimi të sigurisë”.
Reuters ka raportuar më parë se bisedimet mbi çarmatimin e Hamasit – të cilat do të ishin një element kyç i fazës tjetër të planit të Trump për Gazën, janë ngrirë që nga fillimi i luftës me Iranin.
Sipas njërit prej burimeve, Këshilli i Paqes u përfaqësua në bisedimet me Hamasin nga Aryeh Lightstone, një bashkëpunëtor i të dërguarit të posaçëm të Trump, Steve Witkoff. Dy burime të tjera thanë se takimet në të cilat do të merrte pjesë Lightstone ishin në axhendë, por ata nuk mundën të konfirmonin nëse ai ka marrë pjesë vërtet.
Një zyrtar amerikan tha se Lightstone kishte marrë pjesë në takimet në Kajro në ditët e fundit në lidhje me Gazën, por nuk konfirmoi nëse ai u takua me një delegacion të Hamasit. Ai shtoi se negociatorët amerikanë po vazhdonin të kontaktonin partnerët rajonalë për të zbatuar planin 20-pikësh të Donald Trump për Gazën.
Top Channel