Kurti mbledh kabinetin qeveritar, kryeministri i Kosovës: Takimi do të zgjasë dy ditë, zotimet do t’i kthejmë në program qeverisës

14/03/2026 17:04

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka mbledhur në takim kabinetin qeveritar.

Përmes një postimi në Facebook, ai deklaroi se takimi i përbashkët i Qeverisë Kurti 3 do të zgjasë dy ditë dhe ka për qëllim që zotimet e fushatës dhe ekspozenë e prezantuar para deputetëve të shndërrohen në program qeverisës.

“Në zgjedhjet e dhjetorit 2025, qytetarët na dhanë një besim të paparë në Kosovën e pasluftës. Ne kërkuam besimin qytetar për ta kthyer atë në siguri e begati. Nuk garuam me premtime që harrohen, por me zotime që jetësohen. Në dritë të kësaj, sot kemi filluar një takim të përbashkët të kabinetit tonë qeveritar, i cili do të vazhdojë për dy ditë rresht, me qëllim që zotimet e fushatës para qytetarëve dhe ekspozenë e prezantuar para deputetëve t’i shndërrojmë në program qeverisës”, shkroi Kurti.

Ai theksoi se angazhimi për të mirën e përgjithshme, zhvillimin, barazinë dhe integritetin shtetëror , sipas tij, do të mbeten bazë e qeverisjes së tij.

“Zotime që kthehen në program dhe program që përkthehet në plane me projekte, qëllime me objektiva, strategji me operacione, masa me punë të përditshme që do të realizohen përgjatë këtij mandati. Angazhimi, e mira e përgjithshme dhe interesi publik, zhvillimi dhe barazia, integriteti dhe dinjiteti shtetëror kanë qenë dhe do të mbeten pikënisja dhe synimi i qeverisjes sonë”, u shpreh Kurti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB