Rrëzimi i avionit amerikan në Irak, konfirmohen katër të vdekur
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do të rivlerësojë sigurinë e furnizimit me naftë dhe gaz nëse Ngushtica e Hormuzit mbyllet për një periudhë të zgjatur, në mes të tensioneve të rritura në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë të publikuar këtë mëngjes, blloku evropian bëri të ditur se janë zhvilluar takime koordinuese për situatën e tregjeve të naftës dhe gazit.
“Në rast të një mbylljeje të zgjatur të Ngushticës së Hormuzit ose ndërprerjeve të mëtejshme, siguria e furnizimit me naftë dhe gaz të BE-së do të rivlerësohet”, thuhet në raport.
Megjithatë, zyrtarët theksojnë se aktualisht nuk ka rreziqe të menjëhershme për furnizimin energjetik të vendeve të BE-së.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë. Që nga shpërthimi i konfliktit në rajon, trafiku detar në këtë korridor strategjik është kufizuar, duke ngritur shqetësime për furnizimin global dhe për rritjen e çmimeve të energjisë.
Ndërkohë, Australia ka njoftuar se mund të përdorë rezervat e saj emergjente të karburantit, duke vënë në dispozicion benzinë për gjashtë ditë dhe naftë për pesë ditë, në rast të përshkallëzimit të situatës.
Zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit po monitorohen nga afër nga qeveritë dhe tregjet ndërkombëtare, pasi çdo ndërprerje e zgjatur mund të ndikojë drejtpërdrejt në furnizimin global me energji.
Top Channel