Sulm ajror pakistanez në Kabul/ Të paktën katër të vrarë dhe 15 të plagosur, mes tyre edhe fëmijë

13/03/2026 07:39

Të paktën katër persona humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën pas një sulmi ajror të kryer nga Pakistani që goditi shtëpi civile në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, sipas autoriteteve talebane.

Zëdhënësi i policisë në Kabul, Khalid Zadran, bëri të ditur se sulmi ndodhi në zonën Guzar të distriktit të 21-të të qytetit dhe se ndër viktimat ka edhe gra dhe fëmijë.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë i sigurisë në Pakistan konfirmoi për agjencinë Agence France-Presse se forcat ajrore pakistaneze kanë kryer sulme në territorin e Afghanistan, duke goditur “objektiva specifike të lidhura me talebanët pakistanezë”.

Sipas tij, objektivat kishin lidhje me grupin e armatosur të njohur si Tehrik-i-Taliban Pakistan, i cili ka marrë përgjegjësinë për një seri sulmesh vdekjeprurëse në Pakistan në muajt e fundit.

Nga ana tjetër, qeveria de facto talebane në Afganistan deklaroi se sulmet ajrore kanë goditur jo vetëm Kabulin, por edhe qytetin e Kandahar dhe provincat kufitare Paktia dhe Paktika, duke shkaktuar viktima në disa zona.

Zëdhënësi i qeverisë talebane, Zabiullah Mujahid, tha se në mesin e të vrarëve ka gra dhe fëmijë, megjithëse nuk dha një numër të saktë të viktimave.

Deri më tani, qeveria pakistaneze nuk ka bërë një deklaratë zyrtare për bombardimet, ndërsa përkeqësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve ka shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të tensioneve në rajon. Autoritetet afgane kanë nisur hetime për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e sulmit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB