Kroacia reagoi me shqetësim pasi presidenti serb Aleksandar Vucic konfirmoi se vendi i tij ka blerë raketa balistike supersonike CM-400 nga Kina.
“Ne kemi një numër të konsiderueshëm raketash dhe do të kemi edhe më shumë,” tha Vuçic në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, ku shtoi se forcat e armatosura serbe i kanë integruar tashmë këto raketa tek avionë e tyre luftarakë MiG-29. Vucic nuk e tregoi sa është paguar për një blerje të tillë, por tha vetëm se “raketat janë tmerrësisht të shtrenjta, dhe se Beogradi kishte përfituar një zbritje të vogël.”
Ai u mburr më tej se rrezja e raketave është 200–400 kilometra dhe se ato kanë një fuqi tejet të madhe shkatërruese. Kjo blerje ka ngjallur shqetësim në Kroaci. Kryeministri Andrej Pllenkovic deklaroi se vendi i tij do të diskutojë çështjen me aleatët e NATO-s dhe do t’i paralajmërojë për armët e reja në arsenalin e Serbisë.
Ai shtoi, megjithatë, se nuk pret që raketa të përdoret ndonjëherë kundër shteteve fqinje. Vucic reagoi nga ana e tij ndaj deklaratës së Pllenkovicit duke insistuar se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia” dhe shtoi se vendi i tij po përgatitet për një mundësi të mundshme sulmi nga aleanca e formuar nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi, megjithë zotimet e Kroacisë për bashkëpunim jo-agresiv.
Pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni, Serbia po e zgjeron bashkëpunimin ushtarak me Kinën. Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI), në periudhën 2020–2024, 57% e armëve të importuara nga Serbia kanë ardhur nga Kina, 20% nga Rusia dhe 7.4% nga Franca.
Sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar i Stokholmit për Studimet e Paqes shpenzimet ushtarake në të gjithë Ballkanin Perëndimor janë rritur, por Serbia është importuesja numër 1 e sistemeve kryesore të armëve në rajon.
Top Channel