Kryeministri Edi Rama në konferencën me gazetarët foli për çështjen ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Ballkut, ku dje në seancën plenare, PS nuk dha leje për arrestimin e saj.
Kreu i qeverisë hodhi poshtë zërat për presion ndërkombëtar. Më tej ai tha se nuk ndodhin në nivelet ku bëhen diskutimet dhe kushdo që thotë se mbaroi ëndrra europiane, nuk dëshiron suksesin e saj.
“Nga ana tjetër është e vërtetë që ne kemi pasur debat me disa nga partnerët tanë lidhur me qasjen ndaj kësaj çështjeje, nuk është sekret dhe sikundër besoj e dinë shumica, por bëjnë sikur s’e dinë pakica, unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë, interesin e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve dhe një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi, është që t’i shikoj partnerët në sy, të më shikojnë në sy, në të njëjtën lartësi.
As unë nuk më shikon mendja të shikoj njeri nga lart-poshtë, por as nuk më shkon mendja të pranoj që të më shikojë njeri nga lart-poshtë. Është shumë e thjeshtë. Dhe dua të them që përtej mënyrës se si janë pikturuar nga karikaturat e pazarit politik dhe mediatik, diskutimet tona kanë qenë absolutisht konstruktive. Nuk ka pasur absolutisht asgjë, jo si ato që janë thënë, por të ngjashme me ato që janë thënë, përsa i përket tensionit apo presionit, apo kërcënimit. Këto janë gjëra që nuk ndodhin në ato nivele ku bëhen këto diskutime dhe nga ana tjetër unë besoj që edhe vetë deklaratat e bëra dje nga disa përfaqësi si dhe nga përfaqësia e Komisionit Europian janë shumë të qarta, por varet se si i lexon. Duke pasur parasysh edhe sipërfaqen ku janë shkruar dhe leximin prej saj, edhe thellësinë e marrëdhënieve dhe realitetin e përditshëm të komunikimit në atë marrëdhënie, unë mund t’iu them me plot gojën që – “leximi i bërë nga ata që kanë vënë kujën se u bllokua Shqipëria dhe mbaroi ëndrra europiane, është një lexim në rastin më të mirë pervers dhe në rastin më të keq, i qëllimshëm edhe për të lënduar, këdo që në fakt dëshiron suksesin në këtë rrugë”. Është shumë e qartë që kush merret me këto deformime dhe kush i bie kësaj daulleje nuk e dëshiron suksesin e kësaj rruge, sepse fatkeqësisht e lidh suksesin e kësaj rruge me qeverinë, me mua, me ne. Kjo është përsa i përket pikës së parë.“, shtoi kryeministri.
Top Channel