Analiza vjetore e AKBPM, Sula: Zero tolerancë për medikamentet e skaduara

13/03/2026 20:50

Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, mori pjesë në analizën vjetore të AKBPM, ku u prezantuan rezultatet e vitit dhe prioritetet për forcimin e kontrollit në tregun farmaceutik dhe të pajisjeve mjekësore.

Në fjalën e tij, ai theksoi se ky sektor është kritik për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve. Barnat dhe pajisjet mjekësore duhet të jenë plotësisht të certifikuara, të kontrolluara dhe në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Sula u ndal te rreziqet nga barnat kontrabandë, të falsifikuara apo të skaduara, si dhe te ofrimi i shërbimeve nga staf i paautorizuar e i paliçencuar, duke nënvizuar se këto praktika cënojnë shëndetin publik dhe dëmtojnë besimin te sistemi i kontrollit.

“Ky është një sektor ku nuk ka kompromis. Barnat kontrabandë, të falsifikuara apo të skaduara nuk kanë vend në tregun shqiptar. Qasja jonë është dhe do të mbetet tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje në këtë fushë,” u shpreh ai.

Ai theksoi se forcimi i kontrolleve dhe harmonizimi me standardet e BE-së janë thelbësore për modernizimin e mbikëqyrjes së tregut dhe rritjen e sigurisë së barnave dhe pajisjeve mjekësore.

Një vëmendje e veçantë u kërkua për farmacitë sezonale, që shtohen gjatë verës në zonat turistike, dhe depove farmaceutike brenda spitaleve, për të garantuar ruajtje dhe shpërndarje sipas standardeve.

Në përfundim, Inspektorati i Përgjithshëm do të mbështesë fuqizimin e mekanizmave të kontrollit dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, për një treg të sigurt dhe tërësisht të harmonizuar me standardet evropiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB