LIVE/ Lufta në Iran, shpërthime të fuqishme në Teheran dhe Dubai! Aeroplani amerikan i furnizimit me karburant rrëzohet në Irak
Një avion cisternë amerikan KC-135, i angazhuar në operacionet ushtarake kundër Iranit, është rrëzuar në Irak pas një incidenti që përfshiu dy avionë ushtarakë. Ndërkohë, situata mbetet e tensionuar edhe në ngushticën strategjike të Hormuzit, e cila vazhdon të jetë e bllokuar.
Sipas Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, incidenti ka ndodhur në atë që u përshkrua si “hapësirë ajrore miqësore”. Njëri prej avionëve u rrëzua, ndërsa tjetri arriti të kryejë ulje të sigurt.
Aktualisht janë duke u zhvilluar operacione kërkim-shpëtimi për të gjetur ekuipazhin e avionit të rrëzuar, i cili përbëhej nga të paktën tre persona.
Avionët KC-135 janë ndër mjetet ajrore më të përdorura nga Forcat Ajrore të SHBA-së dhe shërbejnë kryesisht për furnizimin me karburant në ajër të llojeve të ndryshme të avionëve, përfshirë avionët luftarakë, avionët e zbulimit dhe ata transportues.
Misionet e furnizimit në ajër konsiderohen rutinë për aviacionin ushtarak, por mbeten operacione shumë komplekse. Hetuesit dyshojnë se rrëzimi mund të jetë shkaktuar nga një përplasje në ajër mes dy avionëve. Hetimet për incidentin janë ende në zhvillim.
Zona perëndimore e Irakut, ku ndodhi aksidenti, përbëhet kryesisht nga territore të gjera shkretinore dhe të izoluara, gjë që e bën më të vështirë operacionin e kërkim-shpëtimit.
Ndërkohë, situata mbetet e ndërlikuar edhe në ngushticën strategjike të Hormuzit. Sipas zyrtarëve amerikanë, të cituar nga New York Times, Irani ka nisur vendosjen e minave detare në kanalin e Gjirit Persik, përmes të cilit kalon rreth 20% e naftës së tregtuar në botë.
Pas shkatërrimit të disa anijeve më të mëdha iraniane nga forcat amerikane, Teherani dyshohet se ka filluar të përdorë mjete më të vogla lundruese për vendosjen e këtyre minave në ujërat e ngushticës.
Top Channel