Nga pushteti absolut në një qeli izolimi, jeta e re e Nicolas Maduros në burgun e sigurisë së lartë në Brooklyn

12/03/2026 14:00

Ish-lideri i Venezuelës, Nicolas Maduro, po përballet me një realitet krejtësisht të ri pas arrestimit të tij në SHBA.

Sipas një raportimi të gazetës spanjolle ABC, ai mbahet në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit në Brooklyn, një nga burgjet federale më të rrepta në zonën e Nju Jorkut, ku ndodhet që nga 3 janari.

Sipas burimeve të cituara nga media, Maduro ndodhet në një qeli të vogël rreth tre metra të gjatë dhe dy metra të gjerë, e pajisur vetëm me një krevat metalik të fiksuar në mur, një lavaman dhe një tualet. Ai mbahet në Njësinë Speciale të Strehimit, një repart izolimi që përdoret për të burgosur të profilit të lartë ose për arsye sigurie.

Dëshmitë nga brenda burgut thonë se gjatë natës dëgjohet zëri i tij nga qelia duke bërtitur: “Unë jam presidenti i Venezuelës! I thoni vendit tim se jam rrëmbyer dhe se po na keqtrajtojnë këtu.” Ky rrëfim nuk është përfshirë në dokumentet zyrtare të gjykatës, por sipas burimeve qarkullon brenda burgut.

Qendra e paraburgimit në Brooklyn konsiderohet një nga më problematiket në sistemin federal amerikan. Sipas ekspertëve të sistemit korrektues, ajo është përballur me mungesë fondesh, staf të pamjaftueshëm dhe probleme të vazhdueshme me infrastrukturën, përfshirë temperatura shumë të ulëta gjatë dimrit dhe ankesa për kujdes të kufizuar mjekësor.

Të burgosurit në këtë njësi izolimi lejohen të dalin nga qelia vetëm tre herë në javë për rreth një orë, gjithmonë të prangosur dhe të shoqëruar nga roje. Gjatë kësaj kohe ata mund të bëjnë dush, të përdorin telefonin ose të dalin në një zonë të vogël të jashtme.

Maduro u paraqit për herë të parë para gjykatës në Manhattan më 5 janar, ku deklaroi se ishte ende “president i Republikës së Venezuelës” dhe pretendoi se arrestimi i tij ishte një “rrëmbim”. Gjyqtari e informoi për të drejtat e tij dhe vendosi që ai të qëndrojë në paraburgim deri në gjyq.

Ai përballet me akuza të rënda, përfshirë narkoterrorizëm, komplot për të importuar kokainë në Shtetet e Bashkuara dhe përdorim ose posedim të armëve të rënda dhe pajisjeve shpërthyese. Avokatët e tij kanë paralajmëruar një betejë ligjore të gjatë dhe komplekse, duke kundërshtuar ligjshmërinë e arrestimit.

Ndërkohë, sipas të njëjtave burime, jeta e tij e përditshme në burg është shumë larg imazhit publik që kishte dikur në Venezuela, ku shfaqej në tubime masive dhe në transmetime televizive nga pallati presidencial. Sot, sipas dëshmive, zëri i tij dëgjohet vetëm në korridoret metalike të burgut në Brooklyn.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB