Mojtaba Khamenei jep mesazhin e parë si udhëheqës suprem, paralajmëron mbylljen e Ngushticës së Hormuzit dhe sulme ndaj bazave amerikane Vetëm disa orë pas deklaratës së papritur të kryeministrit grek Mitsotakis nga Parisi, se Greqia “po hap një faqe të re” duke shqyrtuar energjinë bërthamore, reagimet e forta politike e shkencore në vend japin e marrin në këtë debat i cili për dekada ka qenë tabu në vend.
Në samitin e Energjisë Bërthamore në Paris Mitsotakis theksoi mes të tjerash se Athina do të studiojë nëse reaktorët e vegjël modularë mund të kenë rol në sistemin energjetik të vendit, pa u angazhuar për ndërtimin e centraleve bërthamore.
“Greqia po hap një faqe të re. Ka ardhur koha që vendi im të shqyrtojë nëse energjia bërthamore, dhe veçanërisht reaktorët e vegjël, mund të luajnë një rol në sistemin energjetik grek”, shprehet Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.
Disa specialistë grekë të energjisë e konsideruan hapjen e debatit si të nevojshme duke theksuar se teknologjia moderne është shumë më e sigurt se në të kaluarën dhe se energjia bërthamore mund të funksionojë si burim bazë që plotëson energjinë nga burimet e rinovueshme.
Ndërkohë, ekspertë të tjerë nënvizojnë se një vendim i tillë kërkon vite studimi, konsensus politik dhe shoqëror, si dhe investime shumë të mëdha. Sa u përket reagimeve politike socialistët e PASOK-ut akuzojnë qeverinë për kontradikta dhe mungesë strategjie, duke argumentuar se energjia bërthamore do ta rrisë varësinë e vendit nga jashtë, pasi karburanti, teknologjia dhe menaxhimi i mbetjeve kontrollohen nga vende të tjera. Sipas tyre, kostot janë shumë më të larta se ato të energjisë së rinovueshme dhe Greqia duhet të investojë në alternativa si magazinimi i energjisë dhe gjeotermia.
Edhe opozitarët e SYRIZA-s, e kundërshtojnë kategorikisht idenë, duke deklaruar se energjia bërthamore është e rrezikshme për një vend sizmik si Greqia dhe e papajtueshme me modelin e zhvillimit të qëndrueshëm.
Top Channel