Dogana e Kosovës aksion në Prishtinë, sekuestrohen mallra në vlerë rreth 800 mijë euro
Draft-raporti për Kosovën i hartuar nga raportuesi në Parlamentin Europian, Riho Terras e i publikuar së fundi, e përshkruan 2025-sën si vit të humbur për vendin, për shkak të bllokadës së zgjatur politike.
Sipas draftit, Parlamenti Europian e mirëpret formimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së re më 12 shkurt 2026, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në dhjetor 2025. Megjithatë, institucioni shpreh keqardhje për paralizimin e procesit politik gjatë vitit 2025, që sipas raportit rezultoi në humbje të madhe kohe për vendin. Në raport theksohet gjithashtu dështimi i Kuvendit për të zgjedhur një president të ri brenda afatit kushtetues, çka çoi drejt zgjedhjeve të reja.
Draft-raporti përshëndet nga ana tjetër ratifikimin nga Kuvendi i Kosovës të marrëveshjeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, duke e konsideruar këtë një hap pozitiv në drejtim të reformave. Po ashtu, Parlamenti Europian rikonfirmon mbështetjen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në dhjetor 2022, ndërsa u bën thirrje pesë vendeve anëtare që ende nuk e njohin Kosovën të ecin drejt njohjes, në mënyrë që vendi të mund të përparojë në të njëjtat kushte me kandidatët e tjerë.
Në të njëjtën kohë, Kosovës i kërkohet të përshpejtojë zbatimin e reformave të lidhura me BE-në, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të lirive themelore.
Raporti shpreh mbështetje të plotë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshilli i Europës, si dhe për planin strategjik të vendit për t’u bashkuar me programin e NATO “Partneritet për Paqen”.
Top Channel