“Lufta mund të mbarojë shpejt”, pas deklaratës së Trump, reagon Netanyahu: Ofensiva kundër Iranit nuk ka përfunduar, po ja ‘thyejmë kockat’

10/03/2026 15:58

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi të martën se vendi i tij do të vazhdojë të luftojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke hedhur dyshime mbi deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump se konflikti do të përfundojë “së shpejti”.

Deklarata e një prej drejtuesve kryesorë të Iranit, i cili gjithashtu përjashtoi negociatat me Uashingtonin, erdhi ndërsa Teherani nisi një valë të re sulmesh ndaj vendeve të Gjirit që janë aleate të SHBA-së, vetëm disa orë pasi Trump kishte siguruar për një fund të shpejtë të konfliktit që po zgjerohet me shpejtësi. Komentet e Trump ndihmuan në stabilizimin e tregjeve financiare, pasi një ditë më parë bursat kishin rënë dhe çmimet e naftës kishin shënuar rritje të fortë.

“Po, ne po përpiqemi të mbajmë çmimet e naftës të ulëta. Ato u rritën artificialisht për shkak të këtij operacioni, që në fakt është diçka shumë pozitive. Ishte një veprim që shumë njerëz nuk do ta kishin bërë. E dija që çmimet e naftës do të rriteshin nëse e bëja këtë, dhe ato janë rritur ndoshta më pak nga sa mendoja. Por nuk besoj se dikush mendonte se do të kishim sukses kaq shpejt”, u shpreh Trump.

Gazetarët e pyetën Trump nëse do ta eleminonte ajatollahun e ri. Por Trump tha se nuk donte ta thoshte këtë, por ishte zhgënjyer, sepse kjo thjesht do të çojë në të njëjtat probleme për vendin.

Por Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi se ofensiva ushtarake e Izraelit kundër Iranit “nuk ka përfunduar ende”, duke thënë se operacioni po dobëson udhëheqjen klerikale të Iranit.

“Synimi ynë është që populli iranian të heqë zgjedhën e tiranisë; në fund gjithçka varet nga ata. Por nuk ka asnjë dyshim se me veprimet e ndërmarra deri tani po ua thyejmë kockat  dhe nuk kemi mbaruar ende”, tha Netanyahu.

Në terren ndërkohë vijojnë sulmet kundër bazave iraniane të raketave ndërsa Irani godet fqinjët e tij dhe lëshoi raketa kundër izraelit, shumica e të cilave janë kapur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB