Nuk u pranua në shkollën e Magjistraturës për shkak të një dënimi kur ishte i mitur, shqiptari fiton betejën në Strasburg, i hapet rruga për tu bërë prokuror

10/03/2026 21:27

Gjykata e Strasburgut i dha të drejtë Shiqiri Manjanit, duke rrëzuar të gjitha shkallët e gjyqësorit të cilave ai i ishte drejtuar në Shqipëri.

Rasti i tij u bë i njohur pak vite më parë kur në një rrëfim në podkastin “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio, ai tregoi sesi për vite me radhë nuk mundi ta bënte realitet ëndrrën e tij për tu bërë prokuror.

Kjo për shkak të një dënim me burg kur ai ishte vetëm 15 vjeç e pengoi Manjanin që të fitonte të drejtën për të ndjekur shkollën e Magjistraturës.

I frymëzuar nga prokurori që e hetoi kur ishte fëmijë, Shiqiri Manjani donte t’i përkushtohej këtij profesioni.

Ai studioi dhe e arriti ëndrrën e tij, u shpall fitues në Shkollën e Magjistraturës, por vetëm pak kohë më pas, pasi ai deklaroi dënimin që kishte marrë në vitin 2006 pasi kishte vjedhur një shumë parash prej 1,000,400 lekësh, Manjani nuk mundi t’i niste studimet.

Edhe pse ai e shleu dënimin e tij me kusht duke u rehabilituar, KLP vendosi me shumicë votash se duke pasur parasysh dënimin e tij, aplikanti nuk e plotësonte kriterin e pranimit.

Pas kësaj, duke humbur të drejtën për tu bërë prokuror, ai iu drejtua gjykatave, midis tyre edhe Kushtetueses e cila vlerësoi se kushdo që hynte në drejtësi pritej që të ishte ‘i virtytshëm’, një kriter që sipas tyre, kandidati nuk e përmbushi për kriterin e pastërtisë.

Ndërkohë Gjykata e Strasburgut e shpalli të pranueshme ankesën e tij në lidhje me vendimin për të mos e pranuar atë në Shkollën e Magjistraturës për trajnim si prokuror në bazë të një dënimi të kaluar në kohën kur ishte i mitur.

Strasburgu vendosi se ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës dhe se shteti Shqiptar duhet t’i paguajë kërkuesit, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi bëhet i formës së prerë 4,500 euro.

Lexo edhe: Historia e të dënuarit që vendosi të bëhej prokuror/ Gjyqtari: Nuk është në interesin e shoqërisë që “njolla” ta ndjekë individin përjetësisht

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB