Çmimi i naftës u ul me një fjalë/ Trump deklaroi se fundi i luftës është afër, bursa zbriti nga 120 në 84 dollarë
Presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë deklarata të paqarta dhe kontradiktore lidhur me luftën mes Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit duke mos sqaruar se kur mund të përfundojë ndërhyrja më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme në vite.
Gjatë një konference për shtyp në Florida, Trump tha se lufta është “pak a shumë e përfunduar”, por në të njëjtën kohë shtoi se operacionet mund të vazhdojnë.
“Ne kemi fituar në shumë mënyra, por nuk kemi fituar mjaftueshëm”, deklaroi ai para aleatëve republikanë.
Deklaratat e presidentit erdhën në një moment kur çmimet globale të naftës janë rritur mbi 100 dollarë për fuçi dhe aleatët në Lindjen e Mesme druhen nga përshkallëzimi i konfliktit, shkruan “The Guardian”. Në një paraqitje 35-minutëshe, Trump shmangu detajet specifike për të theksuar se sa plotësisht SHBA-të e kanë shkatërruar ushtrinë e Iranit dhe për të forcuar dyshimet se ka pasur pak planifikim për atë që do të vijë më pas.
I pyetur nga gazetarët nëse kjo do të thotë se lufta mund të përfundojë brenda javës, Trump u përgjigj: “Jo, por së shpejti. Mendoj shumë shpejt.”
Komentet e tij u kritikuan menjëherë nga demokratët. Lideri i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, tha se presidenti nuk ka një plan të qartë për konfliktin. “Trump nuk mund të artikulojë një strategji sepse nuk ka një të tillë,” shkroi Schumer.
Në të njëjtën konferencë për shtyp, Trump sugjeroi gjithashtu se Irani mund të ketë përdorur një raketë amerikane Tomahawk për të goditur një shkollë në qytetin iranian Minab, një pretendim që shkaktoi reagime dhe skepticizëm mes gazetarëve.
Ndërkohë, presidenti amerikan la të kuptohet se mund të lehtësojë disa sanksione ndaj shitjeve të naftës për të stabilizuar tregjet globale.
Top Channel