Konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme/ “Gati të çarmatosim Hezbollahun nëse ushtria merr mbështetje ndërkombëtare”, Libani kërkon armëpushim

10/03/2026 13:10

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka bërë thirrje për një armëpushim të ri me Izraelin dhe ka deklaruar se shteti libanez është i gatshëm të çarmatosë organizatën Hezbollah, nëse ushtria e vendit merr mbështetjen e nevojshme ndërkombëtare.

Gjatë një takimi virtual me Presidentin e Këshillit Europian Antonio Costa dhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, Aoun kërkoi vendosjen e një “armëpushimi të plotë” dhe ndalimin e të gjitha operacioneve izraelite kundër Hezbollahut. Sipas planit të tij, Libani kërkon mbështetje logjistike për Forcat e Armatosura Libaneze, të cilat më pas do të marrin përsipër çarmatimin e Hezbollahut dhe konfiskimin e armëve të organizatës.

Aoun propozoi gjithashtu që paralelisht me këtë proces, Libani dhe Izraeli të nisin negociata të drejtpërdrejta nën ndërmjetësim ndërkombëtar, për të zbatuar kushtet e një marrëveshjeje armëpushimi. Presidenti libanez theksoi se më 2 mars, qeveria e Libanit ndaloi çdo veprim ushtarak të Hezbollahut, pasi grupi goditi Izraelin në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e liderit suprem iranian Ali Khamenei.

Ai e kritikoi ashpër këtë sulm, duke e cilësuar një përpjekje për të tërhequr Libanin në një luftë shkatërruese, që sipas tij rrezikon të sjellë rrëzimin e shtetit libanez dhe shkatërrimin e shumë fshatrave. Aoun theksoi gjithashtu se përshkallëzimi i konfliktit ka sjellë pasoja të rënda humanitare: më shumë se 600 mijë libanezë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të përplasjeve dhe sulmeve ajrore. Ndërkohë, ushtria izraelite deklaron se që nga 2 marsi ka vrarë mbi 200 luftëtarë të Hezbollahut dhe ka shkatërruar dhjetëra objekte ushtarake, përfshirë qendra komanduese.

Sipas të dhënave të fundit, Forcat Ajrore izraelite kanë kryer mbi 500 sulme ajrore në Liban, duke goditur gjithashtu edhe objektiva të lidhura me Iranin dhe Gardën Revolucionare Islamike në kuadër të operacionit ushtarak të quajtur “ulërima e luanit”.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB