Eksportet kineze u rritën me më shumë se 20% gjatë janarit dhe shkurtit, gati trefishi i parashikimeve të ekonomistëve.
Kjo e vendos ekonominë e dytë më të madhe në botë në rrugën për të kaluar edhe rekordin e suficitit tregtar të vitit 2025. Rritja është nxitur kryesisht nga kërkesa e fortë për produkte elektronike, por edhe nga dërgesat më të larta të mallrave bujqësore dhe produkteve të prodhuara.
Tregtia e Kinës me vendet evropiane u rrit me 27.8%, ndërsa eksportet drejt vendeve të ASEAN-it, përfshirë Tajlandën, Singaporin dhe Filipinet, u rritën me afro 30%. Në të kundërt, eksportet drejt SHBA-së ranë me më shumë se 10%, pasi administrata e Trump vendosi tarifa dhe masa të tjera për të ulur çekuilibrat tregtarë mes dy vendeve.
Këto zhvillime vijnë në një moment kur presidenti amerikan Donald Trump pritet të vizitojë Kinën në fillim të prillit për t’u takuar me presidentin kinez Xi Jinping.
Ekonomia kineze vijon të mbështetet kryesisht te eksportet, ndërsa përballet me disa probleme të brendshme si rënia e konsumit, tkurrja e popullsisë dhe kriza në tregun e pasurive të paluajtshme.
Javën e kaluar, Pekini vendosi objektivin e rritjes ekonomike për vitin në nivelin 4.5% deri në 5%, më i ulëti në dekada, duke reflektuar sfidat që përballet ekonomia e vendit.
Top Channel