“Jemi më pranë se ç’mendoni”/ Hakerat e ‘Homeland Justice’ sulmojnë korrespondencën e Kuvendit

10/03/2026 16:40

Megjithëse është në një përballje sulmesh shkatërrimtare prej 11 ditësh nga  SHBA dhe Izraeli,  Irani nuk heq dorë nga sulmet kibernetike ndaj infrastrukturave kompjuterike të shtetit shqiptar.

Pas sulmeve të Shtatorit 2022 ndaj sistemeve qeveritare të shërbimeve online, këtë të martë në grupin në platformën Telegram, hakerat e Home Land Justice kanë publikuar disa të dhëna, me pretendimin se kanë penetruar në komunikimet e postës elektronike të  administratës të Kuvendit të Shqipërisë.

Në postim e tyre të parë ora 11:46 minuta është publikuar kjo foto nga ku shikohen disa korrespondenca mes  punonjësve të kuvendit që mbajnë datën 4 Mars 2024 për çështje që lidhen me njoftimin e seancave plenare, dorëzim dokumentacioni përfshi kalendarin e punës të kuvendit.

Ndërsa në një postim të dytë të orës 12:58 minuta publikuan këto foto ku dallohen disa korrespondenca të gjatë muajt shkurt dhe mars.

Burime nga kuvendi i thanë Top Channel se për momentin janë paralizuar shërbimet e brendshme në dërgimin apo marrjen nga adresat email të administratës të kuvendit.

Të njëjtat burime treguan se në kryesinë e kuvendit prej disa orës ndodhen ekspertë të ACESK të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit të cilët bashkë me ekspertët e AKSHI po vlerësojnë shkaqet që çuan në këtë sulm kibernetik.

Kuvendi i Shqipërisë për këtë situatë nën një sulm kibernetik të Iranit thotë se “po vlerësohet rasti dhe më pas do të dalë me një njoftim”.

Ndërkohë Presidenti Bajram Begaj pyetur nga Top News për këtë sulm kibernetik thotë se “është në komunikim të vazhdueshëm institucional me të gjitha institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen duke  kërkuar informacion dhe është informuar në mënyrë të vazhdueshme mbi masat e marra nga institucionet që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes”.

Top Channel