Fiks Fare/ “Miu hëngri kabullin”, si po tentojnë t’ia hedhin fajin brejtësit për djegien e Pallatit të Kulturës në Peshkopi

10/03/2026 20:50

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës tentativat e disa institucioneve për t’ia hedhur “fajin” brejtësve për djegien e Pallatit të Kulturës në Peshkopi, një ngjarje që ndodhi në datën 27 shkurt 2026, ndërkohë që e gjithë godina s’ka pasur asnjë sistem anti zjarr apo më keq akoma, mungonin edhe bombolat e fikjes së flakëve.

Në gjithë këtë situatë, ku nëse do të kishte shfaqje do të rrezikohej një tragjedi, drejtuesit e Pallatit të Kulturës, Zjarrfikëseve apo edhe të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, deri më sot e kanë gjetur fajtorin, “miu që hëngri kabullin”, si shkaktari kryesor!

Po ata vetë kanë përgjegjësi? Drejtoria e Pallatit të Kulturës që s’pa kabujt e korrentit të hapur? Po Zjarrfikësja që nuk kontrolloi një herë të vetme Pallatin e Kulturës për të parë nëse kishte apo jo sistem anti zjarr? Po vetë Bashkia e Dibrës, e cila pasi bëri një copë çatie, ka zvarritur e zvarritur ndërhyrjet? Duhet të ndodhë ndonjë tragjedi që këto institucione të veprojnë?! Më shumë se “fajin e ka miu”, këta shtetarë duhet të japin llogari për këtë ngjarje, pasi ata vetë janë përgjegjësit kryesorë për këtë ndodhi.Fatmirësisht, në momentin kur ra zjarri, s’kishte shfaqje, pasi do rrezikonte jetët e qindra spektatorëve dhe dhjetëra artistëve.

Kamera e Fiks Fare filmoi gjendjen e Pallatit të Kulturës, ku rezulton se godina ka instalime elektrike të vjetra, kabuj përtokë, në mure dhe mungesë të bombolave të fikjes së zjarreve. Nga vëzhgimi rezulton se zjarri kishte rënë afër skenës, në një pjesë që e përdornin artistët para skenës. Shkëndija kishte rënë te paketa e brendshme e shpërndarjes së energjisë, te disa kabuj që dërgonin energji në paketat dhe prizat.

Ndërkohë, në afërsi të vendit, kishte edhe një hidrant, por që nuk funksiononte. Zjarri ishte përhapur në gjithë dhomën, ndërkohë tymi në gjithë ndërtesën. E gjithë godina ishte mbuluar nga një hi i zi, i shkaktuar nga tymi që pushtoi të gjithë godinën. Madje, në momentin e rënies, zjarri ka rrezikuar edhe një punonjës që ndodhej në katin e dytë, i cili është shpëtuar nga zjarrfikësit.

Grupi i Fiks Fare bisedoi edhe me Igli Tomçinin, drejtorin e Pallatit të Kulturës, i cili thotë se kanë lajmëruar menjëherë zjarrfikësen dhe policinë. Në vendngjarje kanë shkuar edhe punonjës të OSHEE dhe kanë konstatuar shkëndijë. Gazetarët e pyetën se kur janë bërë investimet e fundit, teksa drejtori tha se para 11 viteve. Gjatë 3 viteve që ai kishte qenë në detyrë, s’ishte bërë asnjë ndërhyrje në sistem energjie, por vetëm në çatinë e ndërtesës. Fiksi e pyeti nëse pallati ka sistem anti zjarr, teksa ai përgjigjet se jo. Fiksi e pyet edhe për hidrantin dhe drejtori përgjigjet se “nuk funksionon”. Ai pranon se godina trekatëshe, madje edhe salla e pallatit, nuk ka asnjë bombul që fik zjarrin!

Pas kësaj situatë alarmante, që për pak sa nuk shkaktoi ndonjë tragjedi, grupi i Fiks Fare u interesua edhe te OSHEE Dibër, ku përgjegjësi Abdi Hoxha thotë se s’ka qenë faj i tyre, pasi ata mbulojnë nga shtylla deri te transformatori. Abdiu shoqëroi grupin e Fiks Fare në vendin ku ra zjarri dhe thotë se ka rënë si pasojë e shkëndijës, por s’mund ta specifikojë.

“Mund të ketë qenë ndonjë brejtës, i kanë qejf kabujt”, tha ai. Më tej shton se “Pallati i Kulturës s’ka bërë ndonjë kërkesë për shtesë fuqie, pasi ka vetë transformator. Dhe, deri te transformatori dhe matësi s’kishte problem”.

Fiksi u interesua edhe te stacioni i Zjarrfikëses në Dibër, ku shefi i sektorit të ndërhyrjes Latif Alku tha se shkëndija ka ardhur te kutia e brendshme. Edhe Alku pohoi se mund të ketë qenë ndonjë brejtës. Gazetarët e pyetën nëse godina dhe Pallati i Kulturës ka sistem anti zjarr dhe bombula për shuarjen e flakëve. Ai përgjigjet se “sistem s’ka, por bombula ka pasur”. Fiksi i thotë se, drejtori i vetë Pallatit të Kulturës tha në intervistë që s’ka pasur as bombula, teksa Alku vijon me të tijën se i kanë marrë ata për ti kolauduar. Por, ai s’di të thotë se përse s’janë përdorur dhe përse drejtori na tha se s’ka bombula!

Na tregon se kanë ndërhyrë dhe kanë shpëtuar nga tymi një punonjës që ishte brenda. Po sikur të kishte shfaqje?! Në këtë vendin tonë duhet të ndodhë ndonjë tragjedi që të marrin masa. Përgjegjësia në këtë rast është e të gjithë institucioneve, që me veprime apo mosveprime, sollën që një institucion i rëndësishëm të shkrumbohej.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB