“S’ndryshohet regjimi në Iran”/ Ministri i Jashtëm kinez zbut tonet me SHBA: Nuk duhej luftë, por ne do bashkëpunojmë

08/03/2026 12:06

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, deklaroi se lufta në Lindjen e Mesme “nuk duhej të kishte ndodhur kurrë”, ndërsa bëri thirrje për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit dhe respektimin e rendit ndërkombëtar.

Duke folur gjatë takimeve vjetore politike në Pekin, të njohura si “Dy Sesionet”, ai kritikoi idenë e ndryshimit të regjimit në Iran, një objektiv që është përmendur nga presidenti amerikan Donald Trump. Sipas tij, një qasje e tillë nuk do të gjejë mbështetje popullore.

“Një grusht i fortë nuk do të thotë arsye e fortë. Bota nuk mund të kthehet në ligjin e xhunglës”, u shpreh Wang.

Megjithatë, diplomati kinez përdori një ton më të moderuar ndaj SHBA-së, duke theksuar se Kina mbetet e përkushtuar ndaj respektit të ndërsjellë në marrëdhëniet me Uashingtonin. Ai e cilësoi gjithashtu si inkurajuese bisedën e fundit mes presidentit kinez Xi Jinping dhe Donald Trump.

Deklaratat vijnë në prag të vizitës së planifikuar të Trump në Kinë në fund të marsit, ku në fokus pritet të jenë kryesisht marrëdhëniet tregtare dhe zhvillimet globale. Ndërkohë, Wang përsëriti qëndrimin e Pekinit për Tajvanin, duke theksuar se ribashkimi me Kinën është një proces historik që nuk mund të ndalet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB