Lakra dëmtohet nga sëmundja/ Fermerët humbasin prodhimin, ekspertët kërkojnë ndërhyrje në terren

07/03/2026 12:22

Fenomeni i lakrës me dy koka që është shfaqur në fshatrat e Elbasanit dhe të Divjakës nuk është rezultat i fidanit.

Ekspertët  thonë se ky degjenerim fiziologjik ka ndodhur si pasojë e kushteve klimaterike ku në tunelet e serave janë shfaqur ekstremitetet e temperaturave.

“Në 99% të rasteve ndodh për shkak të kushteve të kultivimit. Fidanët e lakrës në fazën e tyre të zhvillimit mund të jenë dëmtuar ose për shkak të rënies të temperaturave kur ato bien në nivele shumë të ulëta të cilat dëmtojnë pikën e rritjes, e cila është pjesa më delikate e bimës ose mund të vijnë edhe për shkak të dëmtimit nga dëmtues të caktuar të cilët sulmojnë indet më të buta. Dhe më pas bimët kanë reaguar duke shfaqur filiza të tjerë, duke shfaqur koka të tjera”, u shpreh eksperti i bujqësis Ndoc Fasllia.

Edhe pse ky produkt po refuzohet nga tregtarët, lakra me dy koka është vetëm një defekt estetik dhe jo në përmbajtje, pasi vlerat ushqyese janë të njëjta.

“Cilësia është e njëjtë është i njëjti produkt. Nuk ka asnjë dallim me pjesën tjetër të prodhimi normal të lakrës me një kokë”, u shpreh eksperti.

Rritja e këtij prodhimi mund të parandalohej. E kjo bëhet me këshillimin e agronomëve të drejtorive bujqësore të cilët duhet të jenë çdo ditë në terren përkrah fermerëve.

“Fermerët duhet të kishin qenë të vëmendshëm kur janë shfaqur kokat e dyta duhet të kishin eliminuar njërën”, u shpreh eksperti Fasllia.

Fermerët thonë se nga kjo lakër nuk kanë arritur të shesin asnjë kilogram, lakra e deformuar ka sjellë dëme të mëdha tek xhepat e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB