I riu u godit më thikë në një gjimnaz në Delvinë, deputeti Bido: Fëmijët nuk janë material për politikë, disa deputetë…

07/03/2026 15:34

Deputeti i PS Ardit Bido ka komentuar ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Delvinë, ku në një gjimnaz një nxënës u godit me armë të ftohta nga disa bashkëmoshatarë.

Ai është shprehur se këtë ngjarje shumë deputet e kanë përdorur si material për politikë, ku sipas tij shumë prej tyre nuk kanë lidhje me Delvinën.

“Fëmijët e Delvinës nuk janë material për politikën e ditës

Prej disa ditësh po dëgjojmë deputetë që nuk kanë asnjë lidhje me Delvinën, që nuk e njohin qytetin dhe nuk kanë shkelur kurrë këtu, të cilët janë kujtuar të bëjnë politikë me një ngjarje të rëndë që ndodhi në gjimnazin e qytetit.

Le t’i themi faktet me radhë, pa zhurmë.

Pak ditë më parë ndodhi një ngjarje e rëndë në gjimnazin e Delvinës, ku një nxënës u godit me armë të ftohta nga një bashkëmoshatar. Nuk reagova menjëherë, sepse një ngjarje e tillë kërkon zbardhje dhe përgjegjësi, e jo llomotitje politike nga Tirana.

Faktet janë të qarta:

* Agresori është proceduar nga Komisariati i Policisë së Delvinës për përdorimin e armëve të ftohta, jo për “gozhdë”, siç u përpoqën ta deformojnë disa deputetë që mezi presin të bëjnë politikë duke përdorur fëmijët‼️

* Shkolla ka vepruar menjëherë duke mbledhur komisionin e etikës dhe më pas komisionin disiplinor.

* Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar ka marrë masa duke pezulluar drejtuesit deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen e masave disiplinore.

Pra, institucionet kanë vepruar dhe po ndjekin çdo hap të kësaj çështjeje.

Ndërkohë, Kryetari i Bashkisë së Delvinës ka qenë menjëherë pranë familjes së fëmijës së lënduar, duke ofruar mbështetje morale dhe çdo ndihmë të nevojshme, që ai të kthehet në shkollë i shëruar dhe i sigurt.

Ndërsa disa deputetë në Tiranë llomotisin për kamera, këtu në Delvinë njerëzit merren me zgjidhjen e problemit.

Nxënësit që protestuan treguan karakterin e Delvinës, një karakter që nuk përkulet para askujt dhe asgjëje.

Por këtë karakter nuk mund ta përdorni ju që llomotisni nga Tirana për të bërë politikën e ditës, ndërkohë që nuk e njihni në asnjë qelizë karakterin delvinjot”, u shpreh deputeti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB