Inteligjenca iraniane sinjalizon gatishmëri për bisedime për ti dhënë fund luftës, zyrtarët amerikanë: Nuk ka negociata aktive
Komentet për raketën balistike iraniane që u rrëzua nga sisteme të NATO-s në Mesdheun Lindor po komentohen së shumti në shtypin grek orët e fundit, sidomos pas deklaratës të një funksionari turk se objektivi ishte Qiproja.
Sipas tij raketa balistike iraniane që u neutralizua të mërkurën nuk kishte në shënjestër Turqinë, por një bazë ushtarake në Qipro, dhe se devijoi nga trajektorja .
Në të njëjtin kontekst, autoritetet greke konfirmojnë se dy prej 4 avionëve luftarakë F16 që operojnë tashmë në Qipro u ngritën në ajër pas sinjalizimeve për të neutralizuar “objekt të dyshimtë”, por nuk u verifikua përfundimisht prania e ndonjë droni iranian pranë kufijve ajrorë të Qipros.
Të gjitha këto zhvillime ,bashkë me ato të ditëve të fundit u reflektuan edhe seancën plenare të parlamentit grek, ku ka pasur përplasje dhe qasje të ndryshme për kufijtë e përfshirjes së Greqisë në krizën e Lindjes së Mesme, rolin e bazave dhe mbështetjen ushtarake ndaj Qipros.
Qeveria dhe kryeministri Mitsotakis e paraqitën linjën e tyre si një “dogmë e re mbrojtëse”: me praninë dhe gatishmërinë aty ku e kërkon detyrimi kombëtar, me prioritet sigurinë e qytetarëve grekë, lirinë e transportit detar dhe thirrjen për uljen e tensioneve dhe diplomaci.
Athina mban vëmendjen edhe te Qiproja, si “krah i helenizmit” pranë zonës së luftës, dhe për “ditën e nesërme” duhet të garantohet kontroll i rreptë i programeve bërthamore dhe balistike të Iranit, ka thënë ai.
Nga ana tjetër socialistët e Pasok-ut, kërkuan që Greqia të mbetet faktor stabiliteti dhe refuzuan çdo përfshirje në operacionet e SHBA me Izraelin. SYRIZA ka kërkuar informim të plotë dhe një vijë kombëtare, duke paralajmëruar të mos bëhet Greqia objektiv, Partia Komuniste ka ngritur si çështje kyçe mbylljen e bazave amerikane në territorin grek dhe kthimin e forcave nga misionet jashtë, ndërsa edhe partitë e tjera të opozitës akuzojnë qeverinë për rrëshqitje në një konflikt me pasoja të paparashikueshme.
Në terren, zhvillimi i fundit është mbërritja e sistemit të raketave Patriot në Karpathos, një prej ishujve prej të cilëve Turqia në të kaluarën ka kërkuar çmilitarizim, por që në këtë rast nuk shoqërohet me reagim publik prej saj, as për raketat Patriot dhe as për ndihmën ushtarake që Greqia pas dekadash i ka dhënë tashmë Qipros me 4 avionë F16 dhe dy prej fregatave me moderne ne botë.
Top Channel