Qeveria e Portugalia ka autorizuar Shtetet e Bashkuara të përdorin bazën ajrore në Azore për operacione që synojnë Iranin, por vetëm nën kushte të përcaktuara qartë.

Lajmi u konfirmua nga kryeministri portugez Luis Montenegro gjatë një seance parlamentare.

Montenegro sqaroi se leja është dhënë me kusht që operacionet të kenë natyrë mbrojtëse ose hakmarrëse, të jenë të nevojshme dhe proporcionale, si dhe të synojnë ekskluzivisht objektiva ushtarake. “Këto tre kushte janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, theksoi ai para deputetëve.

Kryeministri refuzoi të shprehej qartë nëse mbështet apo kundërshton sulmet ndaj Iranit, duke theksuar se Portugalia “nuk e ndoqi, nuk u pajtua ose nuk ishte e përfshirë” në veprimet ushtarake. Megjithatë, ai nënvizoi marrëdhënien e ngushtë të Lisbonës me Uashingtonin, duke deklaruar se Portugalia ka lidhje shumë më të afërta me SHBA-të sesa me Iranin.

Debati u ndez edhe për qëndrimin e vendeve të tjera evropiane. Presidenti amerikan Donald Trump kishte kërcënuar më herët Spanjën pas refuzimit për të lejuar përdorimin e bazave të saj ushtarake nga SHBA-të, ndërsa vende të tjera si Franca kanë mbajtur qëndrime të ndryshme.

Autoritetet portugeze kanë pranuar se SHBA-të kishin rritur përdorimin e bazës në Lajes Air Base në javët përpara sulmit të së shtunës ndaj Iranit. Sipas ministrit të Jashtëm portugez, Paulo Rangel, vetëm pas nisjes së sulmeve Uashingtoni informoi zyrtarisht Lisbonën dhe mori autorizimin e kushtëzuar.

Baza e Lajes, për shkak të pozicionit të saj strategjik në Oqeanin Atlantik, përdoret nga aleatët që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Marrëveshja që rregullon përdorimin e saj nga SHBA-të është nënshkruar që në vitin 1951 dhe rinovohet çdo vit përmes një autorizimi të përgjithshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB