Ndarja nga jeta e demokratit Tomor Dosti, reagon Berisha: Mirënjohje e thellë për bashkëpunimin që kemi pasur

04/03/2026 22:00

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të demokratit Tomor Dosti.

Ai shkruan se ka një mirënjohje të thellë për bashkëpunimin që ka pasur me të ndjerin, teksa i shpreh ngushëllime familjes së tij.

“Nderim për Tomor Dostin. Të dashur miq, Tomor Dosti mbylli sytë përgjithmonë. Pasardhës i njërës prej familjeve më të shquara të Shqipërisë, bir i Hasan Dostit, intelektualit dhe atdhetarit të shquar, Kryetarit të Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Mukjes dhe drejtues kryesor i Ballit Kombëtar.

Tomor Dosti që nga fëmijëria e tij përjetoi kalvarin e egër të luftës së klasave, përsekutimin, burgosjen dhe internimin në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste. Tomori mbështeti që në fillim përmbysjen e diktaturës komuniste dhe vendosjen e pluralizmit.

Pas themelimit të Partisë Demokratike ai është zgjedhur përfaqësues deputet i saj në Parlamentin e Shqipërisë. Në vitet 1992-1996 Tomor Dosti është zgjedhur në postet drejtuese të Nënkryetarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike.

Duke shprehur nderimin tim më të madh për kontributin e tij të çmuar dhe mirënjohjen e thellë për bashkëpunimin që kemi pasur, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar, miqve dhe të afërmve të tij dhe lutem së bashku me ta që shpirti i mirë i Tomor Dostit të gjejë paqen e merituar. Amin!”, thuhet në reagimin e Berishës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB