Fenomeni i zbaticës në Shëngjin, deti tërhiqet rreth 20 metra nga vija e zakonshme bregdetare
Autoritetet zvicerane kanë zbuluar një rast të trafikut të drogës, ku një bandë shqiptare me ndihmën e stafit të korruptuar të një aeroporti në Meksikë, kanë arritur të kontrabandojnë pothuajse 44 kilogramë kokainë nga Cancuni në Zvicër.
Sipas mediave të huaja, Gjykata e Qarkut Bülach dha vendimin ditën e djeshme për rastin e 4 shqiptarëve, të moshës 27 deri në 36 vjeç, të cilët kishin kontrabanduar kokainë nga Meksika në Zvicër, konkretisht nga qyteti i Cancunit në Cyrih.
Tre nga katër shqiptarët udhëtuan nga Frankfurti në Cyrih në korrik të vitit 2024 dhe së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë që kishin udhëtuar nga Amsterdami në Cyrih, shkuan në karuselin ku po dorëzoheshin valixhet nga një aeroplan që mbërrinte nga Cancúni i Meksikës.
Ata morën katër valixhe që përmbanin pothuajse 44 kilogramësh kokainë të pastër dhe kaluan nga seksioni doganor “asgjë për të deklaruar”, pasi njëri prej tyre ishte siguruar se zona ishte e sigurt. I pandehuri i katërt ishte shoferi.
Valixhet u çuan më pas në një hotel pranë aeroportit, ku droga iu dha disa shqiptarëve të tjerë të paidentifikuar ende. Çështja doli në dritë kur të gjithë njerëzit që prisnin të merrnin valixhet e tyre ishin larguar dhe një çantë shpine e zezë që përmbante pothuajse 10 kg kokainë mbeti në karusel.
Kur të pandehurit u pyetën nga gjyqtari se për sa shitej një kilogram kokainë në Zvicër, njëri prej tyre tha: “32,000 franga”. 4 shqiptarët u arrestuan në korrik 2024 dhe kanë qenë në burg që atëherë, në pritje të gjykimit.
Në procedurat e përshpejtuara gjyqësore, prokurori kërkoi dënime prej 3, 4 dhe 5 vitesh dhe urdhra dëbimi prej 10 vitesh për 3 nga 4 shqiptarët. Gjykata i miratoi të gjitha dënimet e kërkuara nga prokurori.
Ndërsa në rastin e shqiptarit të katërt, prokurori kërkoi një dënim me 10 vite burg dhe një dëbim prej 10 vitesh nga Zvicra. Çështja e tij nuk u trajtua me procedurë të përshpejtuar, por në një gjyq të plotë. 27-vjeçari u konsiderua se kishte luajtur një rol kyç në trafikimin e drogës në Zvicër, prandaj edhe dënimi ishte dukshëm më i lartë se ai i pjesës tjetër të grupit.
Avokati mbrojtës kërkoi një dënim maksimal prej 5 vitesh, pasi pretendoi se klienti i tij nuk ishte figura kyçe apo organizuese e bandës. Sipas avokatit 27-vjeçari, fitoi vetëm 10,000 euro për marrjen e një valixheje, përveç një page mujore prej 500 eurosh që merrte nga Shqipëria. “Ai u shfrytëzua qëllimisht nga mendjet kriminale dhe luajti një rol vartës”, deklaroi avokati.
Si përfundim, Gjykata e Qarkut Bülach e dënoi 27-vjeçarin shqiptar me 8 vite burg dhe një dëbim 12-vjeçar nga Zvicra.
Top Channel