Sulmi amerikano-izraelit ndaj Iranit, presidenti Pezeshkian: Nuk kishim zgjidhje tjetër, u vetëmbrojtëm
Një zyrtar i qeverisë turke ka paraqitur një version të ndryshëm nga ai i bërë publik më herët lidhur me raketën balistike të lëshuar nga Irani dhe të kapur nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s para se të hynte në hapësirën ajrore turke.
Zyrtari, i cili foli për Agence France-Presse në kushte anonimiteti, deklaroi se raketa ishte drejtuar drejt Qipros dhe jo Turqisë. Sipas tij, ajo ishte lëshuar drejt një baze që e përshkroi si “qipriote greke”, por kishte devijuar nga kursi fillestar. Megjithatë, ai nuk paraqiti prova për të mbështetur këtë pretendim.
Çfarë njoftoi më herët Ministria turke e Mbrojtjes
Më parë, Ministria Turke e Mbrojtjes njoftoi se sistemet mbrojtëse të NATO-s kishin kapur një raketë balistike të lëshuar nga Irani para se ajo të hynte në hapësirën ajrore turke. Sipas deklaratës zyrtare, raketa ishte zbuluar duke u drejtuar drejt Turqisë pasi kishte kaluar nëpër hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë dhe ishte neutralizuar nga sistemet e vendosura në Mesdheun Lindor.
Në deklaratë theksohej se një pjesë e municionit ra në rajonin Dörtyol të provincës Hatay, duke qenë fragment i sistemit të mbrojtjes ajrore turke që kishte ndërhyrë për të neutralizuar kërcënimin. Autoritetet bënë të ditur se nuk pati viktima apo të lënduar nga incidenti.
Turqia kujtoi gjithashtu se rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur çdo veprimi armiqësor ndaj territorit të saj dhe u bëri thirrje palëve të përmbahen nga veprime që mund të përshkallëzojnë më tej konfliktin në rajon, duke theksuar se konsultimet me NATO-n dhe aleatët do të vazhdojnë.
Reagimi i NATO-s
Nga ana e saj, NATO dënoi ashpër incidentin. Zëdhënësja e aleancës, Alison Hart, deklaroi se NATO dënon sulmin e Iranit ndaj Turqisë dhe qëndron e palëkundur me të gjithë aleatët e saj, ndërsa Irani vazhdon, sipas saj, sulmet pa dallim në rajon.
Ajo shtoi se qëndrimi parandalues dhe mbrojtës i aleancës mbetet i fortë në të gjitha fushat, përfshirë mbrojtjen ajrore dhe raketore.
Deklaratat kontradiktore hedhin paqartësi mbi objektivin e vërtetë të raketës dhe shtojnë tensionet në një rajon tashmë të trazuar nga përshkallëzimi i situatës mes Iranit dhe Perëndimit.
Top Channel