Bllokimi i Hormuzit, nisin pasojat për ekonominë botërore? Trump: Do shoqërojmë anijet

04/03/2026 11:20

Pasojat që ekonomia botërore mund të vuajë nga bllokimi i ngushticës së Hormuzit, shkojnë deri në recesion paralajmërojnë ekspertët.

Lufta me Iranin ka rritur ndjeshëm tensionet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, e ndikim të vecantë ka pikërisht kjo rrugë ujore strategjike, që lidh Gjirin Persik me Oqeanin Indian, e që konsiderohet arteria kryesore e transportit të naftës në botë.

Çdo ditë, përmes saj kalon rreth një e pesta e konsumit global të naftës. Ngushtica ndodhet mes Iranit dhe Omanit dhe shërben si dalje kryesore për eksportet e naftës nga vendet e Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Kuvajtin. Në pikën më të ngushtë, ajo është vetëm 55 kilometra e gjerë, ndërsa korsitë e lundrimit për anijet e mëdha janë shumë të kufizuara. Irani këmbëngul se e ka plotësisht nën kontroll këtë rrugë jetike detare e thotë se çdo anije që kërkon të kalojë në korridorin ujor, rrezikon të goditet nga raketa ose të dëmtohet nga dronë.

“Aktualisht, Ngushtica e Hormuzit është nën kontrollin e plotë të Marinës së Republikës Islamike,” deklaroi zyrtari i Marinës së Gardës Revolucionare, Mohammad Akbarzadeh, në një njoftim të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve Fars.

Megjithatë, Admirali Brad Cooper i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara kundërshtoi pretendimet e Iranit, duke deklaruar vetëm pak orë më parë se SHBA-ja po fundos “të gjithë marinën iraniane” dhe se tashmë kishte shkatërruar 17 anije të regjimit.

“Sot nuk ka asnjë anije iraniane në lëvizje në Gjirin Arabik, Ngushticën e Hormuzit apo në Gjirin e Omanit”, tha ai.

Presidenti Donald Trump deklaroi më herët se marina amerikane mund të nisë shoqërimin e cisternave të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit nëse kjo do të jetë e nevojshme, një nga hapat më agresivë ky të administratës së tij për të frenuar rritjen e çmimeve të energjisë të shkaktuar nga lufta.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB