Analiza e Politiko: Si u bë Sanchez kundërshtari i Trump, çfarë fiton ai nga polemikat dhe e kaluara e Spanjës me SHBA

04/03/2026 16:21

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka shkaktuar reagim të fortë nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pasi vuri në pikëpyetje drejtpërdrejt veprimin ushtarak amerikan ndaj Iranit, duke e cilësuar atë “të paligjshëm dhe të rrezikshëm” si dhe një “ndërhyrje të padrejtë ushtarake”.

Sipas një analize nga Politico, qëndrimi i Sánchez kujton atë të ish-presidentit francez Jacques Chirac, i cili në vitin 2003 kundërshtoi pushtimin amerikan të Irakut duke theksuar rëndësinë e së drejtës ndërkombëtare dhe bashkëpunimit shumëpalësh.

Kritikat e Sánchez ndaj luftës kundër Iranit përbëjnë një tjetër përballje të tij me SHBA-në dhe Izraelin. Ai ka shprehur më herët shqetësime për luftën në Gaza dhe ka dënuar arrestimin e Nicolás Maduro. Pavarësisht tonit të fortë, qëndrimi i tij e ka vendosur Spanjën në kontrast me disa udhëheqës të tjerë të BE-së, të cilët kanë mbajtur një qëndrim më të rezervuar.

Kryeministri spanjoll e quajti sulmin ndaj Iranit “një shkelje të së drejtës ndërkombëtare” dhe “një ndërhyrje ushtarake të pajustifikuar dhe të rrezikshme”. Sipas një diplomati të cituar nga Politico, Spanja i bëri presion BE-së që të denoncojë SHBA-në për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe kritikoi atë që e cilësoi si standard të dyfishtë të Brukselit në zbatimin e Kartës së OKB-së.

Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Álvarez, theksoi se roli i BE-së duhet të jetë në favor të “de-eskalimit, kthimit në dialog, lehtësimit të tensioneve, diplomacisë dhe negociatave”.

Sánchez kritikoi SHBA-në dhe Izraelin për veprim “në mënyrë të njëanshme, pa u konsultuar me bashkësinë ndërkombëtare”, duke e dënuar sulmin për “shkaktim të qindra viktimave të pafajshme dhe zhytje të të gjithë rajonit në terror që do të sjellë paqëndrueshmëri shumë më të madhe globale”.

Ndërkohë, Madridi theksoi kundërshtimin e tij ligjor ndaj luftës duke bllokuar SHBA-në nga përdorimi i bazave të përbashkëta për të sulmuar Iranin. Pas këtij vendimi, reagimi i Trump ishte i ashpër: ai paralajmëroi sanksione tregtare dhe kërcënoi të “ndërpresë të gjithë tregtinë me Spanjën”, duke iu referuar të drejtës së tij për të përdorur bazat në territorin spanjoll, pavarësisht kundërshtimit të qeverisë së Madridit.

Pavarësisht kërcënimeve, qëndrimi i Sánchez vazhdon të fitojë mbështetje në Spanjë, ku një pjesë e opinionit publik i sheh kritikat ndaj Trump si qëndrim në mbrojtje të paqes ndërkombëtare dhe bashkëpunimit shumëpalësh. Qëndrimi i tij pritet të ndikojë edhe në klimën politike përpara zgjedhjeve kombëtare, duke përforcuar imazhin e tij si mbrojtës i së drejtës ndërkombëtare dhe Evropës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB