Nga SHBA në Pakistan, protesta masive kundër vrasjes së Khameneit, 25 të vdekur
Situata e sigurisë në Mesdheun Lindor është përshkallëzuar ndjeshëm, pas incidenteve të fundit me dronë në Qipro, ku pak pas mesditës, sirenat e alarmit u dëgjuan sërish në bazën britanike në Akrotiri, ndërsa avionë luftarakë u ngritën menjëherë në ajër.
Në të njëjtën kohë, radarët zbuluan objekte të dyshimta në hapësirën ajrore, duke çuar në evakuimin e menjëhershëm të aeroportit civil të Pafos. Autoritetet qipriote konfirmuan se dy dronë që po drejtoheshin drejt bazave britanike u neutralizuan, ndërsa vendi mbetet në gjendje gatishmërie të lartë.
Më herët, një mjet ajror pa pilot kishte rënë brenda zonës së instalimeve ushtarake britanike në Akrotiri, duke shkaktuar dëme të vogla materiale. Pas incidentit, Mbretëria e Bashkuar vendosi largimin e familjeve të personelit ushtarak dhe zhvendosjen e përkohshme të stafit jo thelbësor.
Në këtë klimë tensioni, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Nikozia lëshoi paralajmërim për qytetarët amerikanë, duke u kërkuar vigjilencë të shtuar dhe shmangien e lëvizjeve të panevojshme, për shkak të rrezikut nga dronët në rajonin e Pafos. Zhvillimet aktivizuan edhe refleksin e mbrojtjes së Greqisë. Me vendim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare (KΥΣΕΑ), Athina dërgoi në Qipro dy fregata të Marinës, mes tyre edhe atë “Kimon”, si dhe një çift avionësh luftarakë F-16, për të kontribuar në mbrojtjen e ishullit. Ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, theksoi se Greqia do të mbështesë Qipron me çdo mjet të mundshëm gjatë kësaj krize, ndërsa pritet edhe vizita e tij në Nikozia për koordinim të mëtejshëm.
Paralelisht, kryeministri Kyriakos Mitsotakis zhvilloi komunikim telefonik me presidentin e Qipros, Nikos Christodoulides, duke konfirmuar bashkërendimin e ngushtë mes dy vendeve. Kriza ka vënë në alarm edhe sektorin detar. Sipas Ministrisë së Transportit Detar, dhjetë anije me flamur grek ndodhen aktualisht në Gjirin Persik, me 85 marinarë grekë në bord. Qeveria greke thekson se prioriteti kryesor mbetet siguria e qytetarëve dhe e personelit në rajon, ndërsa ministritë përkatëse deklarojnë se janë të gatshme për riatdhesimin e grekëve, nëse situata përkeqësohet.
Top Channel