“Sulmet në Iran mund të zgjasin 4 javë”, Trump: E godita Khamenein para se të ma bënte ai mua

02/03/2026 11:16

Donald Trump deklaroi të dielën mbrëma se ai e eliminoi Ajatollahun e Iranit, Ali Khamenein, “para se ai të më eliminonte mua”, ndërsa forcat izraelite godisnin objektiva në mbarë Iranin dhe shtonin sulmet në Libanin jugor.

Trump komentoi mbi vrasjen e Khameneit pas një fushate ushtarake që goditi udhëheqjen më të lartë të Iranit dhe pas sulmeve hakmarrëse që lanë të vrarë tre ushtarakë amerikanë.

“E godita para se të më godiste ai. Ata provuan dy herë. Epo, unë e godita i pari,” i tha Trump ABC News, duke iu referuar asaj që inteligjenca amerikane beson se ishte një përpjekje për ta vrarë Trump në vitin 2024.

Presidenti i foli The Daily Mail të dielën për hapat e ardhshëm në luftën e SHBA-së me Iranin, duke theksuar se luftimet mund të vazhdojnë për katër javët e ardhshme.

“Gjithmonë ka qenë një proces katër javor. Mendonim se do të ishte rreth katër javë. Ka qenë gjithmonë një proces prej rreth katër javësh, kështu që – sado i fortë të jetë, është një vend i madh, do të duhen katër javë – ose më pak,” shpjegoi presidenti.

Më shumë se 200 persona janë vrarë që nga fillimi i sulmeve që eliminuan Khamenein dhe udhëheqës të tjerë të lartë, sipas regjimit iranian.

Trump u kthye në Uashington nga Mar-a-Lago të dielën mbrëma, ndërsa Izraeli njoftoi një valë të re sulmesh “në zemër të Teheranit”.

Ushtria izraelite u bëri thirrje qytetarëve në Libanin jugor të evakuoheshin, ndërsa nisi sulme kundër objektivave të Hezbollahut.

Trump zbuloi se sulmet e SHBA-së dhe Izraelit kanë eliminuar aq shumë liderë iranianë, sa që linja e pasardhësve mund të çojë në një udhëheqës të ri surprizë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB