Trump nuk përjashton mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Iran: Do të jenë atje nëse është e nevojshme
Sirenat e alarmit ajror u dëgjuan për herë të parë pas dekadash në tokën qipriote, pas një sulmi të dyfishtë ajror ndaj bazës britanike në Akrotiri.
Sipas informacioneve, objekti u tentua të goditej edhe nga mjete ajrore pa pilot, duke shkaktuar reagime të menjëhershme politike dhe ushtarake në Athinë.
Burime diplomatike theksojnë se sulmi ndaj objekteve të bazës britanike në Akrotiri mund të interpretohet në disa mënyra, duke pasur parasysh pozicionin gjeostrategjik të Qipros, por edhe synimet e palëve ndërluftuese.
Së pari, Qipro konsiderohet shteti i parë anëtar i Bashkimit Evropian që sulmohet në kuadër të një kundërpërgjigjeje rajonale nga Irani. Nëse interpretohet si e tillë, tentativa për goditjen e Akrotirit shihet si tregues i një përshkallëzimi të operacioneve të Teheranit, duke zgjeruar perimetrin e objektivave të mundshëm përtej shteteve arabo-muslimane.
Së dyti, fakti që Qipro mban Presidencën e BE-së në semestrin aktual e bën incidentin edhe më simbolik. Sulmi ndaj bazës britanike mund të lexohet si një mesazh ndaj statusit evropian të ishullit, veçanërisht në një moment kur në territorin e tij ndodhen liderë të shteteve anëtare të BE-së, si dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Nën peshën e zhvillimeve, Presidentja e Komisionit deklaroi se kishte zhvilluar një bisedë me Presidentin e Qipros, Nikos Christodoulides, i cili e informoi për incidentin që ndodhi pak pas mesnatës dhe që lidhej me një mjet ajror pa pilot që synonte bazën britanike në Akrotiri.
“Ndërsa Republika e Qipros nuk ishte objektivi, më lejoni të jem e qartë ne qëndrojmë kolektivisht, fort dhe pa mëdyshje me Shtetet tona Anëtare kundër çdo kërcënimi”, theksoi von der Leyen, duke shprehur mbështetjen e plotë të Brukselit për Qipron.
Zhvillimet e fundit rrisin tensionet në rajon dhe ngrenë pikëpyetje mbi shtrirjen e mëtejshme të konfliktit, në një moment veçanërisht delikat për sigurinë evropiane.
Top Channel