Nga SHBA në Pakistan, protesta masive kundër vrasjes së Khameneit, 25 të vdekur Pasojat në tregjet ndërkombëtare kanë nisur të ndihen mes vazhdimit të sulmeve të Iranit, si kundërpërgjigje ndaj ofensivës së SHBA-së dhe Izraelit këtë fundjavë.
Çmimet globale të naftës dhe gazit kanë pësuar rritje, pohon BBC. Nafta Brent, që është dhe referenca për kuotimin e naftës, u rrit me 10%, duke arritur mbi 82 dollarë për fuçi mëngjesin e sotëm.
Irani i ka paralajmëruar anijet që të mos kalojnë në ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës transportohet gati 20% e naftës dhe gazit së të gjithë botës. Lëvizjet në hyrje të kësaj ngushtice janë ndaluar thuajse krejtësisht, dhe analistët po paralajmërojnë se një konflikt i zgjatur mund të rrisë më tej çmimet e energjisë. Në Londër, indeksi FTSE 100 u çel pothuajse 1% më poshtë, ndërsa aksionet e kompanive ajrore ranë pas mbylljes së hapësirës ajrore në të gjithë Lindjen e Mesme. Megjithatë, ekspertët ende nuk flasin për panik në tregje.
Saul Kavonic, drejtues i kërkimeve për energjinë në MST Marquee, i tha BBC-së se deri tani, duket se “ infrastruktura e transportit dhe prodhimit të naftës nuk ka qenë objektivi kryesor nga asnjëra pale”. “Tregu po pret sinjalet që trafiku përmes Ngushticës së Hormuzit t`i kthehet normalitetit, çka do të ulë përsëri çmimet e naftës,” u shpreh ai. Megjithatë, disa analistë paralajmërojnë se çmimet mund të kapërcejnë 100 dollarë për fuçi në rast të një konflikti të zgjatur, duke ndikuar kështu tek inflacioni dhe normat e interesit. Robin Mills, shef ekzekutiv në konsultancën Qamar Energy në Dubai, theksoi megjithatë se për momentin, çmimet e naftës nuk janë veçanërisht të larta, ato ende janë nën nivelin e dy viteve më parë, kështu që pohoi ai, nuk jemi ende në një krizë të plotë nafte.”
Të dielën, grupi OPEC+ vendosi të rrisë prodhimin me 206,000 fuçi në ditë për të zbutur rritjet e mundshme të çmimeve, edhe pse disa ekspertë dyshojnë se nëse kjo do të ndihmojë shumë.
Top Channel