“E njihnim Teheranin si Jerusalemin, kamerat e trafikut ishin hakeruar prej vitesh”, si e organizoi Mossadi operacionin për të vrarë Khamenein

02/03/2026 22:51

Izraeli kishte vite që monitoronte në detaje lëvizjet e zyrtarëve të lartë iranianë në Teheran, përpara sulmit ajror të së shtunës ku mbeti i vrarë lideri suprem iranian, Ali Khamenei.

Kështu raporton Financial Times, duke cituar burime me njohuri mbi operacionin.

Sipas raportimit, pothuajse të gjitha kamerat e trafikut në kryeqytetin iranian ishin hakeruar prej vitesh. Pamjet e tyre, të enkriptuara, transferoheshin në servera në Tel Aviv dhe në jug të Izraelit. Një nga burimet tha se një kamerë kishte një kënd veçanërisht të dobishëm, që lejonte identifikimin e vendit ku truprojat parkonin zakonisht automjetet e tyre personale.

Në kohë reale, sipas burimeve, izraelitët informoheshin për adresat, oraret e shërbimit dhe rrugët e ndjekura nga truprojat e zyrtarëve iranianë, si dhe për personat që ata shoqëronin. Ky grumbullim shumëvjeçar i inteligjencës konsiderohet se hapi rrugën për operacionin ndaj Khameneit, megjithatë, ky nuk ishte burimi i vetëm i informacionit. Raporti thekson se Izraeli dhe CIA përdorën edhe metoda të tjera për të përcaktuar me saktësi momentin kur 86-vjeçari do të ndodhej në zyrën e tij pranë Rrugës Pasteur. Mes tyre përmendet ndërhyrja në të dhënat e 12 kullave telefonike në zonë, duke i bërë ato të dukeshin të zëna dhe duke penguar marrjen e sinjaleve paralajmëruese nga roja e tij.

“Para se të binin bombat, ne e njihnim Teheranin ashtu siç e njohim Jerusalemin”, citohet të ketë thënë një zyrtar i inteligjencës izraelite.

Sipas FT, operacioni u mbështet në punën e njësisë së sinjaleve 8200 të Izraelit, në informacionet e siguruara nga Mossad dhe në analiza të avancuara të të dhënave. Izraeli përdori metoda matematikore si analiza e rrjeteve sociale për të përpunuar miliarda pika të dhënash dhe për të identifikuar qendra vendimmarrjeje dhe objektiva të rinj.

Superioriteti i inteligjencës izraelite ishte shfaqur edhe gjatë luftës 12-ditore në qershorin e kaluar, kur disa shkencëtarë bërthamorë dhe zyrtarë të lartë ushtarakë iranianë u vranë në një sulm fillestar. Atëherë, mbrojtja ajrore iraniane u neutralizua përmes një kombinimi sulmesh kibernetike, dronësh dhe municionesh precize, përfshirë raketat e tipit “Sparrow”, të afta të godasin objektiva shumë të vegjël nga mbi 1,000 kilometra larg.

Sipas raportit, jo të gjitha detajet e operacionit të fundit janë bërë publike, për të mbrojtur burimet dhe metodat e përdorura. Megjithatë, theksohet se vendimi për eliminimin e Khameneit ishte mbi të gjitha një vendim politik.

Burime të inteligjencës amerikane kanë deklaruar se një burim njerëzor ka qenë kyç për suksesin e misionit, duke siguruar informacion kritik për kohën dhe vendndodhjen e takimit, çka bëri të mundur realizimin e saktë të operacionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB