LIVE/ SHBA-Izrael kundër Iranit, lufta hyn në ditën e tretë. Sulmet vijojnë tashmë edhe në Liban, Trump: Khamenei u vra para se të më godiste mua
Një dron iranian ka goditur bazën ushtarake britanike në Qipron jugore, duke shkaktuar dëme materiale.
Lajmi është konfirmuar nga presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, i cili bëri të ditur se menjëherë pas mesnatës një mjet ajror pa pilot i tipit “Shahed” u rrëzua brenda objekteve ushtarake britanike në Akrotiri.
Sipas kreut të shtetit qipriot, droni, i njohur si pjesë e arsenalit iranian, shkaktoi vetëm dëme të lehta materiale dhe nuk raportohet për të lënduar. Ngjarja ndodhi në bazën ajrore RAF Akrotiri, një nga instalimet më të rëndësishme strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në rajon.
Christodoulides theksoi se është në “kontakt të vazhdueshëm” me liderët evropianë dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, ndërsa sqaroi se Qiproja “nuk ka ndërmend të jetë pjesë e ndonjë operacioni ushtarak”, duke tentuar të distancohet nga çdo përshkallëzim i mëtejshëm.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se po zhvendos anëtarët e familjeve të personelit nga baza e Akrotirit, si masë paraprake sigurie. Në zonë janë shtuar kontrollet, ndërsa policia ka bllokuar dhe monitoruar rrugët hyrëse drejt bazës.
Sulmi vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, duke rritur shqetësimet për zgjerimin e konfliktit dhe përfshirjen e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë.
Top Channel