Vrasja e tre ushtarëve amerikanë, reagon Trump: Presim viktima në ngjarje te tilla

01/03/2026 21:30

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, reagoi pas konfirmimit për vrasjen e tre ushtarëve amerikanë gjatë operacionit ushtarak kundër Iranit.

Kemi tre vdekje, i presim në ngjarje të tilla. Megjithatë në fund do të jetë një marrëveshje e shkëlqyer për botën,” citohet të ketë thënë Trump për NBC News.

Sipas ushtrisë amerikane, pesë të tjerë janë plagosur rëndë, ndërsa disa ushtarë kanë marrë lëndime të lehta dhe janë rikthyer në detyrë. Këto janë viktimat e para të konfirmuara amerikane që nga nisja e sulmeve ndaj Iranit të shtunën.

I pyetur për objektivin e operacionit, Trump deklaroi se ekzistojnë disa skenarë të mundshëm. “Numri një është ‘prerja e kokës’ së udhëheqjes iraniane, heqja qafe e të gjithë grupit të tyre të vrasësve dhe banditëve. Por ka shumë rezultate. Mund të bëjmë versionin e shkurtër ose më të gjatë,” u shpreh ai.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se zyrtarët iranianë kanë shfaqur interes për të vazhduar bisedimet me SHBA-në, por nuk konfirmoi nëse Uashingtoni do të ndalë sulmet. “Nuk e di… nëse mund të na kënaqin,” deklaroi Trump.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se presidenti po monitoron operacionet ushtarake nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, në Florida.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB