Irani nuk ndal sulmet mbi Dubai/ Panik edhe në Kuvajt, Bahrein dhe Jordani, kërcënon edhe Hezbollahu

01/03/2026 19:47

Irani po hakmerret për vrasjen e udhëheqësit të tij suprem dhe sulmeve amerikane e izraelite, duke sulmuar vendet e Gjirit për të dytën ditë me radhë.

Një bazë ushtarake e Emirateve Arabe është shënjestra e fundit. Raportohet se baza detare në Abu Dhabi strehonte forca ushtarake franceze, por një sulm me dronë drejt saj ka shkaktuar një zjarr të madh.

Sipas, ministrisë së mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe në të gjithë vendit ka pasur 3 viktima nga sulmet iraniane. Më herët një raketë iraniane goditi një hotel me pesë yje në zonën ekskluzive Palm Jumeirah, duke shkaktuar zjarr pranë hyrjes së godinës, ku pati edhe 4 të plagosur. autoritetet e Dubait deklaruan se zjarri ishte shkaktuar nga mbetje të një droni të kapur nga sistemet mbrojtëse ajrore.

Sipas tyre, dëme të vogla u raportuan edhe në “Burj Al Arab”, si dhe në një pjesë të “Dubai International Airport”, pa dhënë detaje të mëtejshme. Autoritetet raportuan edhe për një incident në “Zayed International Airport” që shkaktoi një viktimë dhe shtatë të plagosur. Në Bahrein, një dron iranian shpërtheu pranë një ndërtese shumëkatëshe, duke e përfshirë atë në flakë. Raportohet se më herët ishte goditur edhe agjencia e sigurisë kombëtare e vendit. Pamje të publikuara në rrjete sociale duket se tregojnë gjithashtu një raketë që godet bazën e madhe detare amerikane në ishull.

Në Kuvajt, një dron u rrëzua në aeroportin kryesor të vendit, duke shkaktuar plagosjen e disa punonjësve dhe dëmtime materiale. Vëmendja është përqendruar edhe te Hezbollah, grupi i mbështetur nga Irani, i cili më herët kishte paralajmëruar se vrasja e liderit suprem iranian, Ali Khamenei, do të përbënte një “vijë të kuqe”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB