Nga BE e Kosova tek Marine Le Pen, mbështetet sulmi ndaj Iranit: Të fitojë populli

28/02/2026 16:06

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i mbështeti me forcë sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, duke shkruar në platformën X se “ka ardhur ora e lirisë për popullin e Iranit”, dhe kjo, falë udhëheqjes së SHBA-së dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

Republika e Kosovës, theksoi Osmani, si gjithmonë, qëndron e palëkundur përkrah Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në mbrojtje të lirisë, paqes, sigurisë dhe stabilitetit, ndërsa i dënoi goditjet e regjimit iranian kundër aleatëve në Lindjen e Mesme, duke shtuar se Kosova do të vazhdojë t’i mbështesë veprimet e ndërmarra nga Washingtoni dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian dhe për t’i dhënë një shans përfundimtar lirisë dhe paqes.

Kreu i shtetit serb, Aleksandar Vuçiç u shpreh se “beteja kryesore do të zhvillohet për ndryshimin e Qeverisë në Iran”, duke e krahasuar situatën me ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi më 1999 dhe me rrëzimin e regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviç, i cili nisi luftërat në ish-Jugosllavi dhe e çoi vendin drejt izolimit ndërkombëtar.

E kujdesshme u shfaq në reagimin e saj shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kalas, e cila u shpreh se zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme-sulmet amerikane dhe izraelite kundër Iranit dhe hakmarrja e Teheranit-janë “ të rrezikshme”.

Blloku europian, shkroi ajo në “X”, “po koordinohet me partnerët arabë për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike, teksa nënvizoi se mbrojtja e civilëve dhe ligjit ndërkombëtar humanitar është prioritet”.

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese ndërkohë u shpreh se vend ii tij “qëndron në krah të popullit guximtar të Iranit, në betejën e tij kundër shtypjes” dhe e bëri të qartë se Australia mbështet Shtetet e Bashkuara “teksa veprojnë për të parandaluar Iranin nga zotërimi i armëve atomike dhe që Irani të mos vazhdojë të kërcënojë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Mbështetje për këtë lëvizje përcolli edhe Marine Le Pen, e cila deklaroi se “çdo gjë që ndihmon popullin iranian të rifitojë lirinë, është një hap në drejtimin e duhur”. Ministria e jashtme e Iranit ka kërkuar sakaq mbajtjen e nje takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si përgjigje ndaj operacioneve ushtarake amerikane dhe izraelite në Iran.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB