Lufta në Lindjen e Mesme, reagojnë liderët botërorë. BE: Prioritet, respektimi i të drejtës ndërkombëtare. Australia: Mbështesim SHBA-në

28/02/2026 11:48

Udhëheqësit dhe autoritetet botërore kanë filluar të reagojnë ndaj lajmit se SHBA-ja dhe Izraeli kanë kryer sulme ndaj Iranit, ndërsa Teherani po u përgjigjet këtyre sulmeve me goditje të veta në Lindjen e Mesme.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i quajti zhvillimet “të rrezikshme” dhe tha se kishte folur këtë mëngjes me ministrin e jashtëm të Izraelit. “Mbrojtja e civilëve dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare humanitare janë prioritet,” shkroi ajo në X.

Ministria e Jashtme e Zvicrës tha se është “thellësisht e alarmuar nga sulmet e sotme të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit”, duke u bërë thirrje “të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje maksimale dhe të mbrojnë civilët dhe infrastrukturën civile”.

Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, tha se sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit “e çojnë Lindjen e Mesme në prag të katastrofës”, duke i bërë thirrje Uashingtonit dhe Teheranit të “ndjekin një rrugëdalje diplomatike në vend të përshkallëzimit të mëtejshëm”.

Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, tha se po i ndjek zhvillimet e fundit “me shqetësim të madh”, duke shkruar në X se “po dëshmojmë një përshkallëzim serioz të tensioneve rajonale, duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme”.

Ministria e Jashtme e Ukrainës shkroi në X se “regjimi në Teheran kishte çdo mundësi për të parandaluar një skenar të dhunshëm”, duke shtuar: “Rikonfirmojmë qëndrimin tonë të palëkundur: dëshirojmë siguri, prosperitet dhe liri popullit iranian, si dhe stabilitet dhe prosperitet Lindjes së Mesme.”

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, tha se vendi i tij “mbështet Shtetet e Bashkuara në veprimet për të parandaluar Iranin nga sigurimi i një arme bërthamore”, duke shkruar gjithashtu në X se “Australia qëndron me popullin e guximshëm të Iranit në luftën e tij kundër shtypjes”.

Ambasadat e Indisë në Izrael dhe Iran këshilluan shtetasit indianë në këto vende të “tregojnë kujdes maksimal”, të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të monitorojnë situatën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB