Keir Starmer pëson humbje të turpshme në bastionin historik laburist, shtohen zërat për largimin e tij

27/02/2026 12:54

Partia Laburiste e kryeministrit britanik Keir Starmer pësoi një humbje të rëndë në një zonë të Mançesterit të Madh që e kishte dominuar për gati një shekull, duke thelluar krizën politike brenda partisë dhe duke vënë në pikëpyetje autoritetin e liderit të saj.

Kandidatja nga Partia e Gjelbër e Anglisë dhe Uellsit, Hannah Spencer, fitoi garën për vendin vakant parlamentar të Gorton dhe Denton me 40.7% të votave. Në vend të dytë u rendit Reform UK e udhëhequr nga Nigel Farage me 28.7%, ndërsa Laburistët përfunduan të tretët me 25.4%.

Rezultati u cilësua “qartësisht zhgënjyes” nga kryetarja e Partisë Laburiste, Anna Turley. Humbja konsiderohet një goditje e fortë për Starmer, i cili kishte investuar personalisht në këtë garë, duke penguar kandidimin e rivalit të tij të brendshëm, kryebashkiakut të Mançesterit Andy Burnham, dhe duke zhvilluar fushatë në zonë.

Disfata vjen në një moment delikat për kryeministrin, i cili është përballur me kritika të forta brenda partisë për emërimin e veteranit laburist Peter Mandelson si ambasador në Uashington, për shkak të lidhjeve të tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein. Disa ligjvënës kanë kërkuar madje dorëheqjen e tij.

Humbja shton presionin ndaj Starmer përpara zgjedhjeve të majit, ku Laburistët pritet të përballen me sfida të mëdha në zgjedhjet lokale dhe rajonale, përfshirë ato në Uells dhe Skoci. Rënia e mbështetjes ndaj partisë lidhet me pakënaqësinë për rritjen e ngadaltë ekonomike, si dhe me një sërë skandalesh dhe kthesash politike.

Kjo është hera e parë që Partia e Gjelbër fiton një zgjedhje të vetme parlamentare në veri të Anglisë, duke e çuar numrin e saj të përgjithshëm në pesë vende në Dhomën e Komunave, nga 650 gjithsej. Rezultati konsiderohet si një tjetër tregues i fragmentimit të politikës tradicionale dypartiake në Britani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB