Shefja e Njësisë për Shqipërinë në Bruksel flet në seancën e PE-së: Polarizimi politik po kufizon mbikëqyrjen parlamentare, të forcohet gjyqësori
Në seancën e sotme, mbrojtja e Plarent Ndrecës kërkoi kohë për t’u njohur me argumentet dhe provat që SPAK paraqiti lidhur me pretendimet për shkelje të barazisë në tendera.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën dhe vendosi që shqyrtimi i mëtejshëm të vijojë më 5 mars në orën 11:00.
Avokati i Ndrecës kërkon nga Gjykata e Posaçme shpalljen e moskompetencës së çështjes:
Ermal Yzeiraj, avokati: Kjo gjykatë nuk është kompetente për shqyrtimin e kësaj çështjeje, akuza është e paqartë. Me ndryshimet e nenit 75 të Kodit të Procedurës Penale, GJKKO gjykon krimet bazuar në nenin 258. Mbi 800 mijë lekë, kompetente për shqyrtimin e kësaj shume është kjo gjykatë, përndryshe nën 800 mijë lekë do duhet shqyrtuar nga gjykatat e zakonshme. Kemi dy procedura, por sa është vlera e tyre? para ka vlerën zero. Edhe me dokumentacion. Procedura e dytë ka vlerë, por nuk ka konkurrencë. Nëse nuk ka konkurrencë, nuk shkelet barazia e pjesëmarrjes në tendera. Prokuroria thotë se i njëjti qëllim kriminal përbashkon të dyja procedurat. Ne këtu ndahemi, sepse lidhja nga prokuroria është logjike, por pa shkak ligjor. Këtu duhet të prevalojë institucioni përgjegjës, APP (Agjencia e Prokurimit Publik). Pse nuk qëndron qëllimi që i ka bërë bashkë procedurat? Personat janë nga institucione të ndryshme, KVO-të. Që të kesh të njëjtin qëllim kriminal, do duhet që personat të kishin rënë dakord paraprakisht, por punonjësit janë bërë bashkë në mënyrë rastësore.
Plarent Ndreca: Akuza është e paqartë, konfuze. Por kjo vlen për këtë moment procedural, prokuroria është e paqartë sepse nuk thotë për çfarë tenderash akuzohem unë. Cila nga këto procedura është shkelur? Nuk ka pasur shpenzime të përcaktuara me fond limit në buxhetin e shtetit. Kemi një procedurë me konkurrim dhe një tjetër pa konkurrim. E para ka vlerën zero, me konkurs; tjetra me fond limit pa konkurrencë, në pamundësi për të shkelur barazinë në tendera. Referuar ndryshimeve të 2021 përfshihet edhe dekriminalizimi i procedurave tenderuese me vlerë zero.
Prokurorja e SPAK, Dorina Bejko: Ne kemi mbajtur qëndrimin tonë edhe në seancë paraprake dhe të pandehurit i është rrëzuar kjo kërkesë në atë fazë. Ne kemi vlerësuar që të dyja procedurat janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, ndaj e kemi akuzuar vetëm për një episod. Qëllimi final ka qenë paracaktimi i fituesit në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Ish-ligjvënësi socialist akuzohet për periudhën 2019-2020, kur Ndreca në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, dyshohet se ka përfituar nga tenderi i rikonstruksionit të katër komisariateve në vend.
Ai u kallëzua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që pas auditimit të bërë, konstatoi fryrje të kostos reale të prokurimit publik, që përfshinte komisariatin e Mirëditës, komisariatin, nr 4 të kryeqytetit, atë të Vlorës e Pogradecit.
Top Channel