Vangjeli kundër lëvizjeve në Qeveri: Në vend të Ballukut u vendosën dy sozi të saj, efekti anësor ishte largimi i Elisa Spiropalit
Edi Rama shkakton një tërmet të vërtetë në qeveri, jo vetëm duke bërë një zëvendësim të detyruar të Belinda Ballukut.
Siç bëjnë me dije burime nga mbledhja për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, Rama ndryshoi drejtimin e 8 ministrive, vetëm 5 muaj pasi mori votëbesimin e kabinetit të katërt qeverisës në shtator të vitit të shkuar.
Ministrat e Qeverisë Rama 4 patën një ditë të gjatë me raportime për avancimin e projekteve përpara grupit parlamentar socialist, por në fund u përballën me surprizën e ndryshimeve.
Pak përpara se të lexonte emrin e Albana Koçiut si zëvendëskryeministre, burime nga grupi parlamentar socialist treguan për Top Channel se Edi Rama kishte deklaruar: “Pavarësisht karakterit të saj të fortë, doni apo nuk doni ju, Belinda Balluku për punët e saj si ministre, apo edhe për angazhimet politike, është e zorshme të zëvendësohet.”
Postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjitikës, të mbajtur nga Belinda Balluku, Rama ia beson Enea Karakaçit, aktualisht administrator i OSHEE.
Nga ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë.
Ferid Hoxha, diplomat karriere, ish-ambasadori ynë në OKB dhe aktualisht kreu i misionit tonë në BE, do të jetë ministër i Jashtëm, duke zëvendësuar Elisa Spiropalin.
Besfort Llamallari, aktualisht ministër i Drejtësisë, do të marrë postin e ministrit të Brendshëm, duke u rikthyer në këtë ministri ku ka shërbyer si zëvendësministër në qeverinë Rama 3.
Largohet nga drejtimi i Mbrojtjes Pirro Vëngu, duke u zëvendësuar nga Ermal Nufi, i cili ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm në kabinetin e Belinda Ballukut si zëvendëskryeministre.
Erjona Ismaili, deputete e qarkut Vlorë, do të jetë ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi përmes një videomesazhi ndaj lëvizjes së fundit të kryeministrit Rama, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të shpëtuar veten. Berisha u bëri thirrje qytetarëve dhe opozitës të vazhdojnë protestat, duke theksuar se qëllimi i tyre është largimi i Ramës nga pushteti. Ai kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit, duke e bërë përgjegjës për krizën që po përjeton vendi.
Ndryshimet u bënë në ministrinë e Jashtme, të Drejtësisë, të Brendshme, Marrëdhëniet për Parlamentin, Infrastrukturës dhe Mbrojtjes. Ndërkohë, janë 9 ministri të cilat nuk janë prekur nga riformatimi i qeverisë.
Petrit Malaj, Ministria e Financave, Delina Ibrahimaj, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Mirela Kumbaro, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Sala, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Blendi Gonxhe, Ministria e Kultirës dhe Sportit, Andis Salla, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Adea Pirdeni, Minisitre e Shtetit për Administratën publike dhe Antikorrupsionin, Ervin demo, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, Majlinda Dhuka, Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatorja në BE.
Ndryshimet në qeveri u bënë gjashtë muaj pas votimit të kabinetit “Rama 4” në Kuvendin e Shqipërisë.
Zv.kryeministër Ikën Belinda Balluku, vjen Albana Koçiu
Ministria e Jashtme Ikën Elisa Spiropali, vjen Ferit Hoxha
Ministri e Drejtësisë Ikën Besfort Lamallari, vjen Toni Gogu
Ministria e Brendshme Ikën Albana Koçiu, vjen Besfort Lamallari
Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin Ikën Toni Gogu, vjen Erjona Ismaili
Ministër i Infrastrukturës dhe Energjetikës Ikën Belinda Balluku, vjen Enea Karakaçi
Ministër i Mbrojtjes Ikën Pirro Vengu, vjen Ermal Nufi
Top Channel