LIVE/ Rama 97 minuta fjalim në grupin e PS: Balluku kërkoi 3 herë dorëheqjen, do pres raportin e Këshillit të Mandateve. Prokurorët presin fletëarreste me tufa

26/02/2026 12:47

Kryeministri Edi Rama tha sot se do të presë raportin e Këshillit të Mandateve përpara se të thotë fjalën e fundit lidhur me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Në një fjalim të gjatë prej 97 minutash, kreu I qeverisë tha se Balluku ia kishte kërkuar tre herë dorëheqjen me shkrim dhe të treja herët ai e kishte refuzuar, pasi siç tha “ne nuk mund të hyjmë në vallen e dorëheqjeve sa herë ngrihet një akuzë”.

Rama foli për prezumimin e pafajësisë për të gjitha rastet kur SPAK apo Prokuroritë kanë kërkuar arrest me burg për funksionarët e shtetit, duke thënë se ata po presin fletarreste me tufa.

12:26 “Nuk hyjmë në vallen e dorëheqjeve sa herë ka një akuzë”, Rama flet në grupin e PS për kërkesën e SPAK për Ballukun: Do pres raportin e Këshillit të Mandateve 

Në lidhje me çështjen e zv.kryeministres, kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi se do të presë raportin e Këshillit të Mandateve. Ndër të tjera kryesocialisti tha ‘nuk hyjmë në vallen e dorëheqjeve sa herë ka një akuzë’.

12:18 “Një ministre lan makinën me 10 mijë euro dhe qumësht dallëndysheje”, Rama ironizon akuzat e opozitës: Ata që janë kundër nesh i besojnë, por i keni parë si budallepsen?

Edi Rama ka ironizuar akuzat e opozitës për anëtarët e tij të qeverisë, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS.

Ju kujtohet rrëshqitja e rrugës Plloçë Ersekë, brenda afatit u riparua totalisht me fondet e sipërmarrësit, rruga sot është e shqiptarëve, ndodhi diçka që nuk duhej të ndodhte por këto nuk janë gjëra që nuk ndodhin askund dhe ndodhin vetëm këtu“, deklaroi kreu i qeverisë.

12:11 “SPAK ka kusuret e veta”, Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së: Në të gjithë historinë ka vetëm 10 akuza për korrupsion

“Të jemi të qartë sa thash më lart, dhe sa do them më pas, sa më shkon me prokuroritë, përfshirë edhe SPAK ka kusuret e veta, siç kemi ne tonat. Fjalët inkurajuese për SPAK, edhe për drejtuesin e mëparshëm, shpresoj që të kem të njëjtat edhe për atë të tanishmin”, tha Rama gjatë mbledhjes së grupit.

11:59 “AKSHI institucion krenarie, nuk mund të bëhet shesh”/ Kryeministri Rama për Karçanaj: I vunë mbi supe vila dhe makina, jeton me qira

“Nuk di të them se ky shtet nuk mund të jete vendi që një institucion krenarie si AKSHI, i cili është duartrokitur, të bëhet shesh për të mbytur psikologjikisht inxhinierë dhe inxhiniere, vajza e djem që me në krye të drejtorit të atij institucioni kanë punuar pa orar. Meqë janë bërë të gjitha këto nuk mund të hetohet, jo përkundrazi që po”, u shpreh Rama gjatë mbledhjes.

11:51 “I marrin në Prokurori dhe u bëjnë presion të pranojnë faje që s’i kanë”, Rama: Ç’është ky hall? U kontrollohet shtëpia natën e Vitit të Ri

Me kritika i është drejtuar kryeministri Edi Rama institucioneve të drejtësisë nga mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar i PS, duke folur për hetimet e punonjësve të administratës.

Ai tha se duhet të respektohet prezumimi i pafajësisë dhe se nuk mund të thirren të dyshuarit në Prokurori dhe të mbahen me orë të tëra, në orare pune, teksa shtoi se u bëhet presion që të pranojnë faje që nuk i kanë.

11:39 “Pezullimi i ministrit me vendim pa gjyq, ndërhyrje brutale”, Rama: Nuk ka ndodhur në historinë e botës

Sipas kryeministrit Edi Rama, pezullimi i ministrit me vendim pa gjyq është ‘ndërhyrje brutale’. Ai shtoi se një gjë e tillë nuk ka ndodhur në historinë e botës.

11:27 “Në rastin më të keq duhet të hetohen në gjendje të lirë”, Rama për vendimet e gjyqësorit: Ndërhyrje e pajustifikueshme në pushtetin ekzekutiv

Kryeministri Edi Rama duke folur sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, u shpreh se do të ndalet te veprimet dhe vendimet e sistemit të drejtësisë vetëm “një nga njëmijë gjëra që ka për të thënë”.

Ai tha se ka pasur ndërhyrje të pajustifikueshme dhe panevojshme të gjyqësorit në ekzekutiv, teksa shtoi se janë lëshuar një mori fletëarrestesh, që në rastin më të mirë sipas tij nuk janë vepra penale, e në rastin më të keq duhet të hetohen në gjendje të lirë.

11:20 “Çdo hap i ri vjen me një sfidë më komplekse”, Rama në mbledhjen e grupit të PS: Shqipëria në BE, busull e pagabueshme

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit të PS, kryeministri Edi Rama tha se objektivi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një busull e pagabueshme.

11:16 Mbledhja e grupit parlamentar të PS, Rama: Jemi në një udhëkryq të ri, duhet ta kalojmë këtë test dhe të vazhdojmë rrugën drejt BE

Në nisje të mbledhjes numri një i PS, tha se në këto momente “ndodhemi në një udhëkryq që paraqet rreziqe”.

Sipas Ramës risku lidhen me mundësinë që vendi të bëjë vendnumëro duke humbur kohë dhe mundësi për të arritur qëllimin për t’u bërë pjesë e BE në 2030, por shtoi se është besimplotë që ky test do të kalojë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB