Tërmeti me magnitudë 5.5 ballë godet kufirin Afganistan-Taxhikistan
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, premtoi forcimin e mëtejshëm të programit bërthamor të vendit, ndërsa ndoqi një paradë të madhe ushtarake në mbrëmje në kryeqytet, i shoqëruar nga vajza e tij, Ju Ae.
Rreth 14 mijë trupa marshuan në sheshin ‘Kim Il Sung Square’, nën dritat e forta dhe fluturimet e avionëve luftarakë. Ndryshe nga paradat e mëparshme, këtë herë munguan armët e rënda strategjike si raketat balistike ndërkontinentale (ICBM) dhe sistemet e avancuara raketore.
Në fjalimin përmbyllës të Kongresit të nëntë të Partisë së Punëtorëve, Kim deklaroi se është “vullnet i palëkundur” i partisë për të rritur numrin e armëve bërthamore dhe kapacitetet për t’i përdorur ato. Ai paralajmëroi se çdo shkelje e sovranitetit të Koresë së Veriut do të përballet me goditje të menjëhershme hakmarrëse.
Sipas një analize të publikuar nga CNN, mungesa e armëve të rënda në paradë mund të jetë një sinjal i qëllimshëm politik. Pyongyang duket se po ruan “letrat e forta” për një moment tjetër, duke theksuar më shumë unitetin dhe disiplinën e brendshme sesa demonstrimin e fuqisë maksimale ushtarake.
Kim la gjithashtu të hapur mundësinë e dialogut me SHBA-të, por vetëm nëse Uashingtoni ndryshon qëndrim dhe heq atë që regjimi e quan “politikë armiqësore”. Në të njëjtën kohë, ai përmendi zhvillimin e mëtejshëm të raketave ndërkontinentale, kapaciteteve lëshuese nga nëndetëset, si dhe teknologjive me dronë dhe inteligjencë artificiale.
Në sfond mbetet edhe afrimi me Rusinë. Në qershor 2024, Kim nënshkroi një marrëveshje partneriteti strategjik me presidentin rus Vladimir Putin, që përfshin edhe klauzolë mbrojtjeje të ndërsjellë.
Paradë me mesazhe të forta politike, por pa raketat gjigante, një sinjal i kujdesshëm nga Kim Jong Un, në një moment kur tensionet në gadishull mbeten të larta dhe diplomacia duket ende e largët.
Top Channel