Kryeministrja e Danimarkës njofton zgjedhje të parakohshme, a do arrijë ta mbajë karrigen Mette Frederiksen mes tensioneve me Trump për Groenlandën? Të paktën 10 punonjës të FBI-së, të përfshirë në hetimin e ish-Këshilltarit Special Jack Smith ndaj Presidentit amerikan Donald Trump, janë shkarkuar nga puna sipas CBS News.
Largimi i tyre vjen pasi Reuters raportoi se Byroja Federale e Hetimit kishte kërkuar të dhëna mbi thirrjet telefonike të bëra nga drejtori aktual i saj, Kash Patel, dhe Shefja e Stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, në kohën kur ata nuk i mbanin ende këto pozicione.
Artikulli i Reuters citon Patelin të pohojë se FBI-ja kishte marrë fshehurazi të dhënat e tij telefonike “duke përdorur pretekste të dobëta dhe duke e groposur të gjithë procesin nëpër dosje të mbyllura, për të shmangur çdo mbikëqyrje”.
Agjencia e njohur e lajmeve megjithatë thekson se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime. Veprimet supozohet të ishin pjesë e hetimit të prokurorit Jack Smith mbi dokumentet e klasifikuara që Trump kishte marrë me vete pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021.
Smith ndërmori ndaj Trumpit edhe një tjetër hetim federal, që lidhej me dyshimet mbi përpjekje të republikanit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Ishin këto hetime që çuan në paditë e para penale federale kundër një ish-presidenti në historinë e SHBA-së. Megjithatë, në mesin e vitit 2024, një gjyqtar federal në Florida rrëzoi çështjen për dokumentet e klasifikuara, me arsyetimin se emërimi i Smith ishte i paligjshëm.
Smith hoqi dorë edhe nga çështja e zgjedhjeve pasi Trump fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Ky prokuror amerikan njihet edhe për ngritjen e aktakuzave ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale të Hagës.
Smith, i cili kishte qenë prokuror i nivelit të lartë në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, mori detyrën si kryeprokuror në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë në shtator 2018 dhe kaloi dy vitet pasuese duke vazhduar hetimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Top Channel