Drejtoria e standardeve profesionale në policinë e shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra inspektorin Aurel Kaziu, me detyrë agjenti i policisë kriminale në komisariatin e Kamzës pas njoftimit nga pala kosovare se ai ra në pranga së bashku me 2 të tjerë një ditë më parë pasi tentuan të fusin nga Serbia në Kosovë 1 milionë euro të pa deklaruara. 

Rasti u zbulua nga Prokuroria Speciale e Kosovës e cila ka ndaluar për 48 orë, policin shqiptar dhe 2 kosovare të identifikuar si  Etnik Ahmaxhokaj dhe Ardit Laska të cilët janë të dyshuar për veprën penale të “pastrim parash”, raporton gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat.

Automjeti tip furgon që dyshohet se i përket policit Aurel Kaziu u përzgjodh për kontroll të detajuar bazuar në analizën e riskut teksa po futej në territorin e Kosovës nga pikëkalimi kufitar i Merdarës. Fillimisht mjeti është kontrolluar me skaner me rreze X, ku është evidentuar një hapësirë të modifikuar në dysheme.

Më pas Policia Kufitare e Kosovës ka përdorur pajisje fibroskopike për kontroll më të thelluar dhe ka gjetur pakot e parave të cilat pas numërimit kanë rezultuar rreth 1 milion euro.

Autoritetet si kosovare ashtu edhe shqiptare nuk janë ende në gjendje të përcaktojnë origjinën e këtyre parave apo destinacilonin final, por dyshimet janë se i përkasin një grupi kriminal shqiptare i cili kishte zgjedhur rrugët tokësore për t’i transportuar ato në Shqipëri e Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB