Foto Ilustruese

Një situatë tensioni është regjistruar mbrëmjen e sotme në Golem, pasi një 38-vjeçar, i cili ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi”, është konstatuar nga Policia duke lëvizur në rrugë.

Sipas informacionit paraprak të policisë, rreth orës 19:10, Patrulla e Përgjithshme e Postës së Policisë Golem, së bashku me ndihmësspecialistin e zonës, gjatë patrullimit kanë ndaluar për verifikim shtetasin A. B., 38 vjeç, që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Gjatë verifikimit, efektivët i kanë kërkuar shpjegime për thyerjen e masës së sigurisë dhe e kanë njoftuar se do të shoqërohej në Komisariatin e Policisë Kavajë për veprime të mëtejshme.

Në këto rrethana, 38-vjeçari dhe kunati i tij, A. Sh., 23 vjeç, kanë kundërshtuar me forcë shërbimet e Policisë, të ndihmuar edhe nga familjarë të tjerë që ndodheshin aty.

Për të neutralizuar situatën dhe shpërndarë personat e përfshirë, ndihmësspecialisti i Postës së Policisë Golem ka qëlluar një herë në ajër me armën e shërbimit.

Në mbështetje të patrullës kanë mbërritur edhe shërbime të tjera policore, të cilat kanë bërë shoqërimin e personave të përfshirë në kundërshtimin e veprimeve të Policisë, si dhe të 38-vjeçarit që kishte thyer masën e sigurisë.

Veprimet hetimore po kryhen nga Oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB