Shpërthim në një ndërtesë 3-katëshe në Verona, humb jetën një person, shkaku dyshohet të jetë rrjedhja e gazit
Drejtoresha e Muzeut të Luvrit, Laurence des Cars, ka dhënë dorëheqjen disa muaj pas vjedhjes spektakolare në Muzeun e Luvrit.
Sipas mediave, ajo ia paraqiti dorëheqjen presidentit Emmanuel Macron, i cili e cilësoi vendimin si “një akt përgjegjësie”.
Grabitja ndodhi në mëngjesin e 19 tetorit të vitit të kaluar, kur hajdutët përdorën një ashensor mekanik të montuar mbi një automjet të vjedhur për të hyrë në ‘Galerie d’Apollon’ përmes një ballkoni pranë lumit Sena.
Katër persona janë arrestuar si të dyshuar kryesorë. Tetë bizhuteri të çmuara u vodhën, mes tyre një gjerdan me diamante dhe smeralde që Perandori Napoleon Bonaparte ia kishte dhuruar bashkëshortes së tij. Gjatë arratisjes, hajdutët hodhën një kurorë të shekullit XIX, të zbukuruar me diamante, që i përkiste Perandoreshës Eugénie, e cila pësoi dëmtime.
Pak ditë pas grabitjes, des Cars pranoi se sistemi i kamerave të sigurisë në perimetrin e jashtëm të muzeut ishte i dobët dhe “i vjetruar”. Sipas saj, kamera e vetme që monitoronte murin e jashtëm nga ku autorët hynë me forcë nuk mbulonte siç duhet ballkonin që të çonte në Galerinë e Apollonit, ku ruheshin xhevahiret.
Pavarësisht se muzeu pret mbi 8.7 milionë vizitorë në vit, investimet në siguri kanë qenë të kufizuara. Ajo theksoi sfidat buxhetore me të cilat përballen institucionet e mëdha kulturore dhe kishte shprehur synimin për të dyfishuar numrin e kamerave të sigurisë.
Top Channel