Dieta mesdhetare dhe MIND mbajnë trurin deri në 18 vite më të ri, zbulon studimi

24/02/2026 13:58

Perimet me gjethe jeshile, peshku, bishtajoret dhe vaji i ullirit nuk duhet të mungojnë në dietën e të moshuarve, nëse duan të ruajnë shëndetin e trurit dhe të ngadalësojnë procesin e plakjes njohëse.

Një studim i ri, i publikuar në revistën shkencore Neurology, tregon se personat që ndiqnin dietën mesdhetare ose dietën MIND kishin më pak akumulim të pllakave në tru, një nga shenjat karakteristike të sëmundjes së Alzheimerit.

Rezultatet janë veçanërisht domethënëse, truri i pjesëmarrësve që respektonin me përpikëri dietën mesdhetare rezultoi deri në 18 vite “më i ri” krahasuar me ata që kishin rezultatet më të ulëta në këtë regjim ushqimor. Dallime të ngjashme, edhe pse pak më të vogla, u vunë re edhe tek ata që ndiqnin dietën MIND.

Studimi afatgjatë

Studiuesit nga Rush University analizuan indet e trurit të 581 pjesëmarrësve në një studim afatgjatë mbi kujtesën dhe plakjen, që kishte nisur që në vitet 1980. Pjesëmarrësit kishin rënë dakord të dhuronin trurin e tyre për kërkime shkencore pas vdekjes dhe çdo vit plotësonin pyetësorë të detajuar mbi zakonet e tyre ushqimore.

Analizat treguan se konsumimi i rregullt i perimeve me gjethe jeshile, të paktën shtatë racione në javë, lidhej me një “kursim” deri në 19 vite të plakjes së trurit, krahasuar me ata që konsumonin një racion ose më pak në javë.

Çfarë përfshijnë këto dieta?

Dieta tradicionale mesdhetare, e njohur për ndikimin pozitiv në shëndetin e zemrës dhe uljen e rrezikut të goditjes në tru, përfshin sasi të larta peshku, vaj ulliri, fruta, perime, fasule, arra dhe drithëra të pasura me fibra.

Ndërsa dieta MIND, një kombinim i dietës mesdhetare dhe asaj DASH, vendos theks të veçantë tek zarzavatet me gjethe dhe manaferrat, bazuar në kërkime që i lidhin këto ushqime me përmirësim të funksioneve njohëse.

Të dyja dietat janë të pasura me ushqime bimore që përmbajnë lëndë ushqyese dhe përbërës bioaktivë që ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe mbrojtjen e qelizave nga dëmtimi. Në të njëjtën kohë, ato kufizojnë mishin e kuq, sheqerin dhe ushqimet e përpunuara.

Sipas studiuesve, këto gjetje përforcojnë rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme si një nga faktorët kyç në mbrojtjen e trurit dhe reduktimin e rrezikut të demencës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB