Tarifat e Trump u shpallën të jashtëligjshme nga Gjykata Supreme, Parlamentin Europian pezullon marrëveshjen tregtare me SHBA-në
Një student nga Indian Institute of Technology Hyderabad vendosi të përdorë një strategji ekstreme për t’u siguruar që emaili i tij të mos injorohej.
Ai i dërgoi CV-në kreut të një kompanie amerikane, duke vendosur në subjektin e emailit një fjali alarmante dhe të rreme: “Emri juaj është në dosjet e Epstein”. Qëllimi ishte i qartë – ta detyronte marrësin ta hapte mesazhin.
Emaili mbërriti te Harshdeep Rapal, bashkëthemelues i një kompanie me seli në Wilmington. Referenca në subjekt lidhej me Jeffrey Epstein dhe dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, ku përmenden emra personash të lidhur me financuesin e dënuar për abuzime seksuale. Emri i Rapal nuk figuron në ato dosje.
I alarmuar nga titulli, sipërmarrësi e hapi menjëherë emailin, për të zbuluar se bëhej fjalë për një “shaka”. Në rreshtat e parë studenti pranoi: “Po bëja shaka. Doja vetëm që ta hapje emailin”. Më pas ai kërkonte një intervistë pune dhe kishte bashkëngjitur CV-në.
Ngjarja u raportua nga media indiane si The Times of India dhe India Today. Rapal reagoi publikisht në platformën X, ku e cilësoi qasjen si “të papërshtatshme” dhe “joprofesionale”, duke publikuar edhe një pamje të emailit (pa ekspozuar të dhëna sensitive).
“Njerëz, ju lutem mos e bëni këtë. Ne e marrim seriozisht punën tonë; kërkojmë përgjegjësi dhe profesionalizëm. Nëse emaili juaj i parë përmban një mesazh të tillë, unë nuk do të përgjigjem – dhe kështu do të bëjnë shumica e drejtuesve të biznesit”, shkroi ai.
Ai shtoi se ekziston një dallim i madh mes projekteve universitare dhe komunikimit profesional në botën reale të biznesit. “E kuptoj që dëshpërimi mund t’i shtyjë njerëzit drejt qasjeve alternative. Por kjo metodë sigurisht që nuk do t’ju ndihmojë”, përfundoi sipërmarrësi.
Top Channel