“Makth” i bardhë në Nju Jork dhe paralajmërime për stuhi dëbore, anulime fluturimesh dhe rekomandime për të kufizuar udhëtimet
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se vendi i tij nuk do t’i dorëzojë territore strategjike Rusisë në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme armëpushimi, duke paralajmëruar se presidenti rus Vladimir Putin “e ka filluar tashmë Luftën e Tretë Botërore”.
Në një intervistë për BBC, ai theksoi se përgjigjja e vetme ndaj Moskës është presioni i fortë ushtarak dhe ekonomik.
Zelensky hodhi poshtë kategorikisht idenë e lëshimit të territoreve të pushtuara, përfshirë rreth 20% të rajonit të Donetskut dhe zona të tjera në Khersonit dhe Zaporizhias. Sipas tij, dorëzimi i tokave nuk është thjesht çështje gjeografie, por do të përbënte “braktisje të qindra mijëra njerëzve” dhe do të rrezikonte unitetin shoqëror në Ukrainë.
Ai paralajmëroi se edhe nëse një kompromis territorial do ta kënaqte përkohësisht Kremlinin, Moska do ta përdorte armëpushimin si kohë për t’u riorganizuar ushtarakisht. Sipas tij, disa partnerë evropianë vlerësojnë se Rusisë do t’i duheshin tre deri në pesë vjet për të rikuperuar kapacitetet, por ai beson se kjo mund të ndodhë edhe më shpejt.
“Fitorja është ndalimi i Putinit”
Presidenti ukrainas theksoi se fitorja nuk nënkupton vetëm rikthimin e normalitetit për vendin e tij, por edhe ndalimin e një kërcënimi global. Ai argumentoi se nëse Rusia nuk ndalet tani, agresioni mund të zgjerohet përtej Ukrainës.
Marrëdhëniet me SHBA-në dhe garancitë e sigurisë
I pyetur për deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me negociatat e shpejta për armëpushim, Zelensky tha se garancitë e sigurisë duhet të institucionalizohen nga Kongresi amerikan, në mënyrë që të mbeten në fuqi pavarësisht ndryshimeve politike në Uashington.
Ai shtoi se zgjedhjet e reja në Ukrainë mund të mbahen vetëm pasi të sigurohen garanci të qarta sigurie dhe kushte që procesi të konsiderohet legjitim, duke pasur parasysh se miliona qytetarë janë jashtë vendit dhe pjesë të territorit mbeten nën pushtim.
Nevoja për mbrojtje ajrore
Zelensky e cilësoi forcimin e mbrojtjes ajrore si sfidën më të madhe aktuale dhe kërkoi leje për prodhimin e sistemeve të licencuara amerikane, përfshirë raketat Patriot. Ai theksoi se deri tani nuk ka pasur përparim në sigurimin e këtyre licencave.
Në përfundim, ai u shpreh se lufta nuk do të mbyllet shpejt, por se diplomacia dhe veprimet ushtarake po ecin paralelisht. “Për ne, suksesi është ndalimi i Putinit,” tha ai, duke shtuar se fakti që presidenti rus nuk dëshiron ta përfundojë luftën nuk do të thotë se nuk mund të detyrohet ta bëjë këtë.
Top Channel